Bufon: Sjemi si 3 vite më parë, por është e vështirë
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Xhanulixhi Bufon është i vetëdijshëm për forcën e skuadrës së tij, por edhe për nivelin e kundërshtarit. Numri një i bardhezinjve ka thënë se Juventusi është forcuar shumë në krahasim me 3 sezonet më parë, por pranon se Bajerni është një nga ato skuadra që nuk ka pika të dobëta.
Ai ka vlerësuar maksimalisht portierin Nojer dhe ka thënë se është ndër më të mirët në botë. "Pres një ndeshje shumë të vështirë. Bajerni është një ekip i fortë dhe nuk ka pika të dobëta.
Ne jemi përmirësuar shumë dhe nuk jemi më skuadra e disa viteve më parë kur Bajerni na mundi lehtësisht. Atëherë ishin një ekip shumë i fortë, ndërsa ne jemi rritur më shumë.
Na kritikuan të gjithë kur pësuam dy gola, por Barcelona pësoi më shumë. Megjithatë duhet të jemi të përqendruar te ndeshja e nesërme (sot) dhe të mos kujtojmë të shkuarën. Do të përballen dy skuadra shumë të forta dhe nuk shoh favoritë në këtë ndeshje", ka thënë Bufon.
Ai ka folur edhe për rivalin e tij Nojer. "Ka shumë portierë të mirë në qarkullim dhe nuk duhet parë vetëm një moment. Nojer është një ndër portierët më të mirë në botë dhe bën pjesë në elitën e këtyre portierëve. Kasijas, Kahn dhe Çeh gjithashtu kanë bërë një karrierë të shkëlqyer. Duhen bërë analiza të mëdha për të vendosur cili prej portierëve është më i miri", ka thënë Bufon.