Magjistari kundër Luftëtarit
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
uventus kundër Bajernit pritet të jetë dueli më emocionues dhe spektakolar i mbrëmjes së sotme në Champions. E gjithë bota i ka sytë nga "Juventus-Stadion", ku do të zbresin në fushë yjet më të mirë të Serisë A dhe Bundesligës.
Kampionët e Italisë përballë kampionëve të Gjermanisë mbart një histori 12-vjeçare, gjatë të cilës 4 herë kanë fituar gjermanët dhe 3 herë italianët, pa harruar edhe barazimin e vetëm pa gola në 2009-ën.
Ky duel prestigji është përqendruar më shumë në repartin e mesfushës, ku jepen komandat për të shpërthyer në sulm, apo u mbrojtur për të blinduar defensivën. Pra, "dirigjentët" përkatës do të jenë "luftëtari" kilian për Bajernin, Arturo Vidal, dhe "magjistari" francez i Juventusit, Pol Pogba.
Dy "As"-ët e mesfushës kanë diferenca, por edhe ngjashmëri mes tyre. Nga njëra anë, Vidal vjen nga shkolla amerikanojugore me agresivitet të theksuar, robust që jep vërtet shpirtin në fushë. Kiliani ka 11 vite eksperiencë në futbollin profesionist duke nisur me Kolo-Kolo në Kili, Leverkusen, Juventus dhe së fundmi Bajern.
Eksperienca dhe sukseset e tij kanë vijuar me Kombëtaren e Kilit duke fituar së fundmi edhe Kupën e Amerikës. Nga ana tjetër kemi përballë supertalentin Pol Pogba, i cili është rritur me shkollën franceze te Le Havre, me atë angleze te Mançester Junajtid dhe në katër vitet e fundit është skalitur falë mjeshtërisë sportive italiane te Juventusi.
Me kombëtaren franceze ai debutoi në vitin 2013, si dhe mori pjesë në Botërorin 2014 ku u shpall edhe talenti më i mirë i turneut. Suksesin e tij madhor e kori me ekipin e moshave U-20, kur u shpall kampion bote me Francën në vitin 2013.
Falë "magjive" të tij, ai ka shënuar gola spektakolarë nga distanca. E përbashkëta mes Vidalit dhe Pogbasë është fryma artistike e modelit të flokëve. Ata frymëzohen nga shumëllojshmëri stilimesh ku herë bëjnë "kameleonin", herë "tigrin" apo "toreadorin". Nëse këtë duel do ta fitojë "luftëtari" apo "magjistari", këtë do ta tregojë fusha.