e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Kthehen vetëm Teqja me Bakajn, probleme për Fukuin dhe Malajn

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Kthehen vetëm Teqja me Bakajn, probleme për Fukuin dhe Malajn

Tirana do të jetë sërish e cunguar ndaj Kukësit. bakajVeç mungesës së konfirmuar së Gilman Likës (i skualifikuar prej të verdhëve) dhe lajmit të mirë që vjen nga Elis Bakaj (që do të konvertojë dënimin në parà), infermieria vazhdon të jetë e tejmbushur.

I vetmi që ka kryer stërvitje me grupin dje ishte Olsi Teqja, i cili me sa duket e ka hedhur pas krahëve problemin në muskujt e barkut, ndërsa lista e dëmtimeve vazhdon të jetë e gjatë. Dje janë stërvitur veçmas Argjend Malaj dhe Dorian Kërçiku. Nëse për të parin ka shanse riaftësimi, për të dytin mbetet për t'u parë se si do ta ketë gjendjen e kaviljes.

Dje pushim absolut ishte Dejan Karan dhe Masato Fukui. Mbrojtësi duhet të ekzaminojë edhe një herë shpinën, ndërsa japonezi ka marrë një goditje në Shkodër dhe pritet që edhe sot të jetë jashtë grupit. Nga ana tjetër në listën e të padisponueshmëve vazhdon të jetë Ervin Bulku, ndërsa Gentjan Muça vijon procesin e rikuperimit pas operacionit në gju.

I dyti ka të ngjarë që të jetë gati me Tërbunin, duke përfituar kështu edhe nga pauza e kampionatit. Megjithatë, bilanci zyrtar i mungesave do të zbardhet vetëm sot, ku do të rishihet gjendja e gjithsecilit. Dashur pa dashur, pritet që Ilir Daja të kompozojë një formacion ndryshe përballë Kukësit rival për zonën "Euro".