e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

'Kosova nuk e pyet Serbine prej 20 vitesh'

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
'Kosova nuk e pyet Serbine prej 20 vitesh'
Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Fadil Vokrri, e konsideron të papranueshme vendimin e Komitetit Ekzekutiv të FIFA-s lidhur me çështjen e Kosovës. Shkresa zyrtare nga FIFA për modalitetet e zhvillimit të ndeshjeve miqësore ndërkombëtare për Kosovën, tregon se i lejohet zhvillimi i ndeshjeve me grupmoshat e reja, përfaqësuesen e femrave dhe klubet e futbollit, por vetëm jashtë Kosovës dhe pa simbole shtetërore (himn e flamur), por me himn e flamur të FIFA-s. Kjo për Vokrrin është plotësisht e papranueshëm.

Sipas tij, heqja e atributeve shtetërore të Kosovës në asnjë mënyrë dhe rrethanë nuk janë të pranueshme, e për më tepër i papranueshëm është edhe vendimi i KE-së të FIFA-s për moslejimin e zhvillimit të ndeshjeve brenda Kosovës pa konsultim paraprak me Federatën e Futbollit të Serbisë. “Vendimi i Komitetit Ekzekutiv të FIFA-s për ne është i papranueshëm. FIFA duhet ta dijë se Kosova nuk e pyet Serbinë më shumë se 20 vjet. Serbia për asgjë nuk mund të pyetet sa u përket çështjeve të brendshme të Kosovës, e me këtë rast as për futbollin e Kosovës”, ka thënë Vokrri, duke i kujtuar “FIFA-s se futbolli i Kosovës ka mbi 20 vjet që vepron i pavarur dhe Kosova është shtet i pavarur e sovran që prej pesë vjetësh, i njohur nga më shumë se 97 shtete e ndër to shtete shumë të fuqishme”. I pari i FFK-së thotë se nuk e ka pritur një vendim të tillë. Vokrri beson se shumë shpejt ky vendim do të bjerë poshtë.

“Realisht nuk e kam pritur një vendim të tillë. Megjithatë, ne nuk do të rrimë duarkryq. Unë do të këshillohem edhe me këshilltarët e jashtëm dhe jam i bindur se shumë shpejt vendimi i FIFA-s do të shfuqizohet”, ka theksuar Vokrri. Ai ka shtuar se dje ka biseduar me presidentin e FIFA-s, Sep Blaterin. Vokrri pohon se ka marrë premtim nga njeriu i parë i shtëpisë më të madhe të futbollit se do të ndryshojë vendimi i FIFA-s për Kosovën. “Kam folur 30 minuta në telefon me presidentin e FIFA-s, Blater, duke i shfaqur atij protestën dhe pakënaqësitë për këto modalitete. Blater më ka premtuar se ky vendim do të ketë ndryshim në një kohë sa më të shkurtër”, ka pohuar Vokrri.

Në një intervistë me gazetën kroate “Sport Max”, Vokrri, ndër të tjera, theksoi se për suksesin e arritur kohë më parë në FIFA (para vendimit të fundit) e kishin përgëzuar edhe disa zyrtarë të futbollit serb, por edhe se Federata Serbe e Futbollit do të pranonte të luante ndeshje ndaj Kosovës. “Jo në jetën time, por edhe për kohën e mandatit tim sporti është sport, e politika është politikë. Me besoni që nesër Federata Serbe e Futbollit do të pranojë që të zhvillojë ajo ndeshje. Shpresoj se bisedimet ndërmjet qeverisë së Kosovës dhe asaj të Serbisë të përfundojnë sa më shpejt. Do të jetë kjo në të mirë të të dyja palëve. Së pari, do të dëshiroja të luanim me miqtë tanë, me përfaqësuesen kroate”, ka thënë Vokrri. Ish-numri 9 i Partizanit të Beogradit, thotë se ka marrë urime nga Partizani dhe Serbia pas vendimit të FIFA-s, që t’i lejojë Kosovës zhvillimin e ndeshjeve miqësore për klube. “Shumë nga shokët e mi, ish-lojtarë të Partizanit të Beogradit dhe legjenda të shumta të futbollit nga Serbia, më uruan mua. Por ata më kërkuan që emrat e tyre t’i mbaj të fshehtë, pasi kundër tyre mund të fillojë një antifushatë”, tha Vokrri, por zyrtarët e Partizanit i kanë mohuar menjëherë këto deklarata të tij.

Reagimi
Serbët kundër anëtarësimit në FIFA

Serbët e kanë konfirmuar edhe njëherë kundërshtimin e tyre të ashpër për pranim të FFK-së në FIFA e UEFA, të paktën derisa Kosova nuk është pjesë e Kombeve të Bashkuara (OKB). “Federata Serbe do të vazhdojë t’i përdorë të gjitha mjetet legjitime dhe legale për ta luftuar ruajtjen dhe respektimin në përputhje me parimet themelore dhe statusin e UEFA-s e FIFA-s dhe në pengimin e anëtarësimit të FFK-së në këto institucione, për faktin se Kosova nuk është anëtare e OKB-së”, vazhdon konkluzioni i nxjerrë të shtunën nga pala serbe. Në mes të janarit, presidenti i FSS-së, Tomislav Karadziç, dhe sekretari i përgjithshëm i saj, Zoran Lakoviç, do të zhvillojnë një takim me autoritetet e FIFA-s dhe UEFA-s, ku do të bisedojnë rreth çështjes së Kosovës.