e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Kosova, luajne Ujkani, Sadiku e Bajrami

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Kosova, luajne Ujkani, Sadiku e Bajrami

Samir Ujkani - Portieri i Palermos ka mbrojtur për 20 ndeshje katërkëndorin e kombëtares shqiptare të futbollit, ku deri një vit më parë cilësohej si titullar i padiskutueshëm

Loret Sadiku - Mbrojtësi 22-vjeçar ka luajtur tri ndeshje me përfaqësuesen U-21 të Suedisë. Zgjedhja e tij duket e çuditshme, pasi ai pritej të aktivizohej me Shqipërinë në Euro 2016

Emir Bajrami - Mesfushori 25-vjeçar është aktualisht lojtari me më shumë eksperiencë te Kosova, pasi ka luajtur 18 ndeshje me Suedinë, duke qenë pjesë e saj gjatë Euro 2012

Projekti i kombëtares së futbollit të Kosovës, në hapat e parë të saj në miqësoret ndërkombëtare, do të bazohet në tre emra: Samir Ujkani, Loret Sadiku dhe Emir Bajrami. Këta do të jenë futbollistët që do të mbajnë në shpatulla projektin e ri të trajnerit Bunjaku në miqësoren ndaj Haitit, duke shpresuar që me kalimin e kohës, atyre t’u shtohen emra të tjerë të shquar, që aktualisht aktivizohen me kombëtare të tjera.

Ndonëse lista e futbollistëve të kombëtares së Kosovës për miqësoren ndaj Haitit do të publikohet vetëm me datë 2 mars, presidenti i FFK-së, Fadil Vokrri, ka zbuluar për gazetën serbe “Kurir”, se cilët janë “yjet” e përzgjedhur për të zbritur në tapetin e gjelbër të stadiumit “Adem Jashari” të Mitrovicës. “Ne kemi lojtarë të një niveli të lartë. Ylli i parë është padyshim portieri Samir Ujkani, i cili luan në Itali dhe më parë ishte te Shqipëria. Po ju them edhe dy emra të tjerë lojtarësh tanë që kanë luajtur për Suedinë, Loret Sadiku dhe Emir Bajrami. Januzaj? Pres që në të ardhmen të luajë me ne, ndonëse është një zgjedhje që duhet ta bëjë vetë”, ka shpjeguar presidenti i FFK-së për gazetën serbe. Duke u bazuar në tre emrat e mësipërm, të cilëve pritet t’u shtohen të tjerë që luajnë jashtë, si Përdedaj, Raskaj apo Nushi, Kosova mendon se ka një kombëtare të fortë, e cila do të synojë ta fitojë këtë ndeshje të parë miqësore dhe ato në vazhdim.

“Gjithçka po ecën në rrugën e duhur. Ne kemi një skuadër të fortë dhe vlerësojmë Haitin. Trajneri ynë, Albert Bunjaku, është i ndërgjegjshëm ndaj detajeve, ashtu si të gjithë ne, ndaj do të kërkojmë fitoren. Megjithatë, dua të sqaroj se nuk do të thërrasim për këtë ndeshje lojtarët që luajnë me Shqipërinë, Zvicrën apo kombëtare të tjera. Nuk do të ishte sportive nga ana jonë”, ka thënë Vokrri, duke “harruar” se si Ujkani për shumë kohë është cilësuar portieri i parë i kombëtares shqiptare të futbollit. Më pas, i pyetur për mundësinë e pranisë së lojtarëve serbë në përfaqësuesen e Kosovës, presidenti i FFK-së ka bërë të qartë se rekrutimi i lojtarëve nuk do të bazohej mbi origjinën e tyre. “Nuk shohim nacionalitetin apo besimin fetar të një lojtari, kushdo që pranon Kosovën si vendin e tij, mund të luajë për ne, qoftë ky një shqiptar, serb apo malazez.”

Në fund, Vokrri, i cili ka luajtur për disa vite me fanellën e Partizanit të Beogradit, ka komentuar edhe sfidën e Euro 2016 mes Shqipërisë dhe Serbisë. “Mendohet se nuk do të jetë një ndeshje e zakonshme, por unë jam i bindur se do të jetë një sfidë normale. Nuk luhet në Tiranë, po në Elbasan, në një stadium mjaft të mirë. Për kë do të bëj tifozeri? Përse ma bëni një pyetje të tillë? Besoj se e dini që unë jam shqiptar”, ishte përgjigjja e Vokrrit ndaj provokimit të gazetarit serb.