Korçarëve do të doja tu hiqja Shehin dhe Lilajn
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Ditmar Bicaj është i vetmi "ish" në radhët e Partizanit në ndeshjen e nesërme ndaj Skënderbeut. Mbrojtësi lezhjan ka kaluar katër sezone të bukura në Korçë, ku ka fituar edhe 4 tituj kampionë.
Bicaj në një prononcim për emisionin "Pasi i fundit" në TVSH, pohoi se përballjet me korçarët mbeten gjithnjë speciale, ku u referohet edhe dy ndeshjeve të para të luajtura këtë edicion ndaj tyre.
"Ndeshjet kundër Skënderbeut mbeten speciale për mua, të tilla ishin edhe dy përballjet e para të këtij sezoni. Kam kaluar katër vite në Korçë, ku fitova katër tituj kampionë.
Ndiej nostalgji dhe shumë respekt për Korçën dhe ekipin e Skënderbeut", u shpreh së pari mbrojtësi i të kuqve, i cili pritet të jetë titullar në takimin e nesërm. Për Bicajn, ky duel mes dy rivalëve për titull do të thotë shumë, por ai shpreson që në fund të fitojë e kuqja e Partizanit.
"Është një ndeshje decizive dhe në rast fitoreje të Partizanit, shanset për titullin do të ishin 50 me 50. Në rast të kundërt, balanca do të lëvizte nga ana e Skënderbeut, pasi duke u bazuar edhe te kalendari i mbetur, ata presin më shumë ndeshje në shtëpi në krahasim me ne.
Shpresoj që në fund të fitojmë ne", vijoi mbrojtësi i Partizanit. Pyetjes se nëse do të kishte mundësi t'i hiqte një lojtar Skënderbeut, Bicaj ka dy emra, jo një sa iu kërkua: "Realisht për këtë takim Skënderbeut do të doja t'i hiqja dy lojtarë, jo një.
Orges Shehin, një pikë shumë e fortë e korçarëve, dhe Sabjen Lilajn". Pas katër titujve me Skënderbeun, mbrojtësi lezhjan shpreson që suksesi ta ndjekë edhe këtë sezon, ku Partizani po lufton në rikthimin e titullit, që për herë të fundit e kanë fituar në sezonin 1992-1993.