Derbi na motivoi, ruajmë ritmin ndaj Skënderbeut
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Arbnor Fejzullahu konsiderohet si lojtari i rilindur në radhët e Partizanit në dy ndeshjet e fundit. Me rikthimin në rolin e tij natyral, mbrojtës i djathtë, Fejzullahu ka bërë paraqitje pozitive në derbi ndaj Tiranës dhe ndaj Bylisit. Për këtë arsye, mbrojtësi i të kuqve u shpall edhe lojtari i muajit në Superiore.
Në një prononcim të shkurtër për Televizionin Shqiptar, Fejzullahu foli për momentin e mirë që po kalon aktualisht Partizani, por edhe ai.
22- vjeçari shpreson që ky ritëm të ruhet edhe në përballjen e 14 shkurtit ndaj Skënderbeut. "Atmosfera në ekip është shumë e mirë, duke ditur se vijmë pas fitores në derbi dhe suksesit në transfertën e Ballshit.
Jo vetëm ekipi, por edhe unë personalisht po kalojmë një moment shumë të mirë. Derbi më ka motivuar shumë, pasi kjo u pa edhe ndaj Bylisit dhe shpresoj që kështu të vazhdoj edhe në ndeshjen e radhës me Skënderbeun duke dhënë dhe marrë maksimumin", u shpreh mbrojtësi i të kuqve të kryeqytetit.