Konte telefonon Pogbanë, e do me vete te Çelsi
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Nga idhull, Antonio Konte është shndërruar papritur në një "grabitës" të mundshëm të Juventusit.
Të paktën kështu thekson media angleze në kor, me tabloidët që nënvizojnë se trajneri i ardhshëm i Çelsit (për anglezët kjo gjë është zyrtare tashmë, ndonëse mungon zyrtarizimi) është gati që të zhvasë disa nga yjet e bardhezinjve dhe të rindërtojë një skuadër me lojtarët që ai kërkoi me ngulm në Torino dhe me ta fitoi tre tituj kampionë radhazi. Prandaj, duke mbetur tek informacionet që vijnë nga ishulli britanik,
Antonio Konte, përveçse ka kërkuar rikthimin e Huan Kuadrados në "Stamford Bridge", pas huazimit 1-vjeçar te "Zonja e Vjetër", strategu leçez ka kërkuar edhe Pol Pogbanë. Madje, 46-vjeçari u ka nënvizuar drejtuesve të Çelsit se me këtë tratativë do të merret personalisht dhe ndërkohë ka nisur kontaktet.
Konte ka telefonuar në ditët e fundit mesfushorin francez, duke e ftuar që t'i bashkohet atij në Premier Ligë, te Çelsi, në rast se po mendon largimin nga Torino, në mënyrë që të vazhdojnë atë bashkëpunim të nisur te Juventusi, nga vera e vitit 2012.
Pa dyshim që Pogba i ka një borxh të madh italianit, duke qenë se trajneri aktual i Kombëtares së Italisë i besoi transalpinit një fanellë titullari, edhe pse, pas transferimit nga Mançester Junajtid, Pol ishte vetëm 18-vjeçar.
Dhe, ndoshta, kjo bisedë mes të dyve ka dhënë një rezultat pozitiv, duke qenë se Pogba i ka nënvizuar atij se do ta mendojë seriozisht këtë mundësi, duke qenë se, nga ana tjetër, në luftë për numrin 10 të bardhezinjve janë edhe klube të tjera më të mëdha si Barcelona, Reali i Madridit, Mançester Siti, Mançester Junajtid dhe PSG-ja.
Pa dyshim që Antonio Konte e ka bërë detyrën e tij, një hap të parë konkret dhe të rëndësishëm, ndërkohë që tani hapi i dytë i takon presidentit të Çelsit, Roman Abramoviç, dhe bashkëpunë- torëve të tij, sepse për Pol Pogbanë Juventusi kërkon 100 milionë euro.
Kjo shifër nuk është e vogël, por nuk e tremb klubin londinez, i cili mësohet se do të dërgojë disa emisarë të tijtë për ta ndjekur Pogbanë sot pasdite në Bergamo, ku Juventusi do të luajë përballë Atalantës, në kampionat.
Përgatiti: JETON STAMOLLA