e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Komisioni i Disiplines vendos gjoba qesharake per ngjarjet e fundjaves

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Komisioni i Disiplines vendos gjoba qesharake per ngjarjet e fundjaves

Ndonëse lufta kundër dhunës dhe ngjarjeve të papëlqyeshme në futboll është kthyer në një nga objektivat e FSHF-së, komisionet juridike të saj vazhdojnë të shfaqin indiferencë ndaj ngjarjeve të shëmtuara që po prishin imazhin e futbollit shqiptar. Pas një fundjave ku transmetimi i një ndeshje në televizion u ndërpre për shkak të fyerjeve në kor, në një stadium kishte sherr masiv mes dy skuadrave në dhomat e zhveshjeve dhe në një tjetër kishte dhunë të ushtruar edhe nga forcat e policisë, Komisioni i Disiplinës ka dhënë disa vendime që mund të cilësohen pa frikë si qesharake.

“Urimet e 8 marsit” në ndeshjen Teuta-Partizani mes dy tifozerive, që detyruan ndërprerjen e ndeshjes disa herë nga ana e gjyqtarit kryesor, janë shoqëruar vetëm me një gjobë për klubin vendas. “KF Teuta, për sjellje të gabuar të spektatorëve të saj, dënohet me gjobë me vlerë 50000 lekë bazuar në nenin 66.1 të KDS”, shkruhet në vendimin e marrë nga Disiplinori, që ka harruar se në një cep të stadiumit “Niko Dovana” ishin edhe tifozët e Partizanit që u bënë pjesë e “urimeve” të ndërsjella në kor. Meqenëse klubi është përgjegjës për sjelljen e tifozerisë edhe në transfertë, duket e çuditshme se si nuk është vendosur një gjobë e njëjtë ndaj Partizanit. Duhet theksuar se gjobat prej 50 mijë lekësh janë bërë një fenomen i vazhdueshëm në vendimet e Komisionit të Disiplinës, që tashmë ka kthyer çdo incident në tribuna në një mënyrë për të mbushur arkat e FSHF-së, ndonëse Kodi i Drejtësisë Sportive parashikon masa edhe më të ashpra, sidomos kur bëhet fjalë për përsëritje të ngjarjeve të tilla.

Më absurd duket vendimi i marrë rreth ngjarjes së ndodhur në Shkodër, ku futbollistët e Vllaznisë dhe ata të Besës janë përfshirë në një sherr masiv në dhomat e zhveshjeve në përfundim të ndeshjes mes dy ekipeve. Ndonëse dihen publikisht lojtarët e përfshirë në ngjarje, të vërtetuar nga deklaratat zyrtare të vetë klubeve, asnjë prej tyre nuk ka marrë dënime nga KDS, ndonëse gjithçka është përshkruar me imtësi në protokollet e dorëzuara nga zyrtarët e FSHF-së të pranishëm në “Loro Boriçi”. Për të mos e mbyllur ngjarjen pa një dënim, i jepet Vllaznisë një i tillë, krejtësisht modest dhe pa asnjë shpjegim përkatës. “KF Vllaznia, për dështim në përmbushjen e përgjegjësive, dënohet me gjobë me vlerë 25000 lekë bazuar në nenin 65.1 të KDS”, shkruhet në procesverbalin e KDS-së.

I njëjti qëndrim absurd është mbajtur edhe për ndeshjen e Kategorisë së Parë mes Burrelit dhe Elbasanit, ku ekipi mik ka akuzuar vendasit se ka ushtruar presion dhe dhunë ndaj tyre që nga momenti kur janë ulur nga autobusi dhe deri në momentin kur janë larguar nga ky qytet. “KF Burreli, për dështim në përmbushjen e përgjegjësive, dënohet me gjobë me vlerë 25000 lekë bazuar në nenin 65.1 dhe 136 të KDS”, shkruhet në këtë vendim, duke anashkaluar plotësisht faktin se delegati i ndeshjes ka qenë ai që ka ndërhyrë për të qetësuar gjakrat dhe që lehtësisht mund të identifikojë zyrtarët e klubit vendas që kanë ushtruar dhunë ndaj elbasanasve.