Bekenbauer: Bajerni, te merzit si Barcelona
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Gjashtëmbëdhjetë fitore radhazi në ka mpionat me golavarazh 57-8. 20 pikë avantazh nga Dortmundi dhe Bundesligën teorikisht të hipotekuar. Çerekfinale e Champions-it, duke kaluar në mënyrë komode një rival si Arsenali. Në Europë deri tani ka 6 fitore, 1 barazim dhe 1 humbje me Sitin, në ndeshjen e fundit të grupit. Dy trofe në palmares ende pa mbyllur sezonin e parë në Mynih: Superkupa e Europës dhe Kupa e Botës për klubet. Një i munguar si Superkupa e Gjermanisë verën e shkuar. Ky Bajern i Pep Guardiolës është befasues për të gjithë, përveç presidentit të nderit, Franc Bekenbauer. E pabesueshme, por e vërtetë. “Nëse do të vazhdojnë të luajmë kështu, – deklaroi “Kaizeri” për “Sky” – në fund do përfundojmë si Barcelona.
Njerëzit do mërziten dhe askush nuk do të na shikojë më”. Dhe sikur të mos mjaftonte kjo, një tjetër shuplakë direkte për taktikën tiki-taka të spanjollit: “Unë kam një tjetër koncept për futbollin. Herët a vonë do t’i shikojmë lojtarët e Guardiolës ta pasojnë topin mbi vijën fatale. Për mua futbolli është tjetër”. Por, cila është këshilla e tij për stilin e lojës së Pepit. Bekenbauerit nuk i pëlqeu aspak “urdhri” që Guardiola i kishte dhënë Shvajnshtaigerit për të mos goditur nga jashtë zone: “Më pëlqen loja më e drejtpërdrejtë. Nëse unë do ta kisha mundësinë të godisja nga jashtë zone, veçanërisht kur përpara ke një mbrojtje të ngjeshur, atëherë nuk do mendohesha dy herë për ta bërë. Kjo është mënyra më efikase në të tilla kushte”. Gjithsesi, ishkampioni i botës i dha edhe të drejtë trajnerit për përzgjedhjet që kishte bërë në fushë. Yje si Kros, Myler dhe Boateng e nisën nga stoli dhe sipas përllogaritjes së “transfermarkt.de” stoli i kampionëve të Europës me Arsenalin kushtonte 124 milionë euro (Boateng 28 mln, Shtarke 1 mln, Van Bujten 1 mln, Rafinja 8 mln, Myler 45 mln, Pizarro 1 mln, Kros 40 mln).
“Lojtarët që ulen në stol nuk mund të ankohen te Guardiola, sepse ata e dinë që skuadra është në gjendje të fitojë edhe pa ta”. Kjo e “Perandorit” nuk është kritika e parë në drejtim të trajnerit. Në muajin shkurt, motivi i një tjetër përplasjeje ishte pozicioni i Gëces në fushë. Për presidentin, talenti i ri luante në një pozicion jashtë karakteristikave të tij (“9″ e fshehtë dhe në krah), ndërkohë që ai është një fantazist i cili jep më të mirën pas sulmuesit kryesor.