Runi: Januzajn po e ndihmoj qe te rritet
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Ylli i Mançester Junajtid, Uejni Runi, tregon se ai ka kryer stërvitje ekstra vetëm me talentin Adnan Januzaj muajt e fundit. Mesfushori 19-vjeçar, pjesë e “Djajve të kuq’, këtë sezon ka befasuar me paraqitjet e tij. Në total ai ka luajtur 28 ndeshje. Duke folur për rolin që anglezi ka luajtur në zhvillimin e talentit me origjinë shqiptare, Runi tha se ndihet i lumtur që po jep shembullin e tij, sepse ai gjithashtu ka përfituar nga kjo eksperiencë. “Unë kam qëndruar më shumë kohë në fushë, pas kryerjes së stërvitjes bashkë me Adnanin. Madje jemi marrë edhe me krosimet e me gjuajtjet e lira. Dhe kjo gjë bën që të përfitoj si unë ashtu edhe ai”, tha futbollisti i kombëtares angleze.
Sulmuesi shtoi se qëllimi i tij është të ndihmojë që 19-vjeçari të rritet edhe më shumë. “Unë po përpiqem t’i jap një dorë që të bëhet akoma më i mirë dhe besoj se Adnani diçka të tillë po e arrin. Gjithashtu, jam i mendimit se futbollistët e rinj duhet të praktikohen gjatë gjithë kohës, sidomos kur bëhen pjesë e ekipit të parë. Por edhe futbollistët profesionistë kanë nevojë që të praktikohen, sepse në këtë mënyrë ata do të jenë të fortë, kështu që kjo punë na shërben të dyve”, tha ylli i “djajve të kuq”. Sa i përket mundësisë që të marrë shiritin e kapitenit në vazhdim, anglezi tha se për të është një nder dhe mundësi e madhe.