Kolumbia 'kapercen' Bregun e Fildishte
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Kolumbia ka fituar me rezultatin 2-1 ndaj Bregut të Fildishtë në ndeshjen e dytë të grupit “C”, duke u ngjitur kështu në kuotën e 6 pikëve. Ndeshja e zhvilluar në stadiumin në “Estadion Nacional” të Brazilias (63 000 shikues) dhuroi tre gola dhe të gjithë në pjesën e dytë. Në pjesën e parë, të dyja skuadrat do të studionin njëra-tjetrën, sulmet do të ishin sporadike dhe do të mbanin firmën e kolumbianëve. Në pjesën e dytë, tigrat verdheblu morën iniciativën dhe pas një traverse të goditur nga Cuadrado, do të ishte Rodriguez që do të shënonte golin e parë të takimit në minutën e 64. Dyfishimi i rezultatit do të vinte vetëm 6 minuta më vonë dhe do të mbante firmën e Quinteros, lojtar i rritur tek Pescara në Itali, por që tashmë luan në Portugali tek Porto. Pas këtij goli, Bregu i Fildishtë do të mblidhte forcat dhe do të dilte në sulm, duke ngushtuar edhe rezultatin 4 minuta më vonë. Në minutën e 74 Gervinho do të ndërmerrte një aksion personal, duke dribluar dy lojtarë kolumbianë dhe duke shënuar golin e parë dhe të vetëm për të tijtë. Minutat e mbetura u luajtën në gjysmëfushën kolumbiane, ku tigrat ngritën mburojën e tyre për të ruajtur rezultatin. Kjo fitore i ngjit kolumbianët në kuotën e 6 pikëve dhe janë thuajse të kualifikuar.