e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Kjo, java vendimtare per trajnerin e ri te Shqiperise

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Kjo, java vendimtare per trajnerin e ri te Shqiperise
Kjo javë që sapo po nis do të jetë vendimtare për emërimin e trajnerit të ri të Kombëtares shqiptare. Java që sapo u mbyll u karakterizuar nga shumë negociata të presidentit të FSHF-së, Armand Duka, me kandidatët e shumtë, por deri tani nuk ka pasur asnjë rezultat konkret. Ka nga ata që gjatë ditëve të fundit kanë këmbëngulur se presidenti i FSHF-së e ka zgjedhur tashmë emrin e personit i cili do të drejtojë kuqezinjtë në eliminatoret e Botërorit 2011. Por, shkak për vonesën e zyrtarizmit janë bërë detajet e kontratës. I përfolur shumë që pas largimit të Josip Kuzhe, Besnik Hasi është i preferuari i Dukës, por mes palëve ka ide të ndryshme sa i përket kontratës. Numri një i qeverisë së futbollit në vend ofron 2 vjet kontratë, ndërsa Hasi, që duhet të përballet me projektin e vështirë për të rinovuar skuadrën, nuk pranon më pak se 4 vjet.

Jo vetëm kohëzgjatja, pasi një tjetër pengesë është dhe klubi i Anderleht, ku Hasi prej gati 5 vjetësh mban rolin e zëvendëstrajnerit. Nëse në fillim belgët ishin shprehur se ishin në kërkim të një zëvendësuesi për teknikun me origjinë kosovare, tani duket se kanë ndryshuar mendje dhe nuk heqin dorë nga Hasi. I takon këtij të fundit të zgjidhë çështjen me Anderleht, ndërsa Duka është në pritje të përgjigjes. Por ndërsa pret, në tavolinën e presidentit të FSHF-së janë CV-të e ish-trajnerit të Sllovenisë, Matjas Kek dhe holandezit Ervin Koeman.

Drejtuesit e FSHF-së e pëlqejnë Kekun dhe ia dinë potencialin, aq më shumë që drejtoi Slloveninë deri në finalet e kupës së botës të vitit 2010, por shqetësimi më i madh është financiar. Së fundi, ndërmjetësi i tij, menaxheri i FIFA-s, Ilir Sillo, thotë se brenda Shqipërisë ka rezistencë ndaj një trajneri të huaj dhe se kjo mund ta bëjë të pamundur që Matjas Kek të ulet në stolin e lënë bosh nga Josip Kuzhe. Kek e Kuman qëndrojnë pas Hasit në listën e Dukës, por kandidatë të tjera janë edhe italianët Dario Boneti dhe Enriko Fabro.