E Enjte, 19 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Vllaznia, zgjidhje e zemres

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Vllaznia, zgjidhje e zemres
Rudi Vata është zyrtarisht trajneri i ri i Vllaznisë. Pas negociatave të gjata me kryebashkiakun Lorenc Luka, 42-vjeçari gjeti akordin për t’u bërë pasardhësi i Mirel Josës te kuqeblutë. Ish-mbrojtësi i Kombëtares shqiptare e ka cilësuar një zgjidhje zemre emërimin në krye të stolit shkodran. Ai shprehet i vetëdijshëm për problemet që ka skuadra, megjithatë ish-mbrojtësi shprehet se është borxhli ndaj qytetit të Shkodrës, ndërsa nuk nguron të flasë edhe për garën drejt titullit. “Do të drejtoj Vllazninë dhe kjo është një zgjedhje zemre. Ky është një emocion shumë i veçantë për mua në këto momente.

Emërimi në krye të stolit shkodran është përgjegjësi shumë e madhe, sepse në këto momente më janë besuar fatet e skuadrës”, deklaroi Vata. “Por, vendosa ta pranoj postin e trajnerit, sepse besova te projekti që kanë drejtuesit e klubit dhe ata të Bashkisë së Shkodrës. Kam marrë një vendim të rëndësishëm për jetën time, i bindur edhe nga njerëzit që kam pranë në këtë aventurë. Më së shumti e kam pranuar këtë ofertë, sepse jam shkodran dhe të gjithë shkodranët u janë borxhlinj qytetit të tyre, pavarësisht ku ndodhen: si pjesë e sportit, jam borxhli ndaj futbollit dhe Vllaznisë”.

Kjo është hera e parë që Vata do të ulet në stol në rolin e trajnerit. Megjithatë, ish-lojtari i Vllaznisë, Dinamos, Tiranës e Partizanit në Shqipëri dhe Sëlltik, Apollon Limasol, Lë Manit apo Energie Kotbus në ligat europiane, shprehet se është mësuar me këtë lloj presioni. Tekniku tha: “Vllaznia ka një skuadër të mirë, me potencial dhe realisht mendoj se është e kompletuar që të luftojë edhe për titullin. Aktualisht skuadra vuan në aspektin psikologjik, edhe pse problemet janë të mëdha. Nuk më tremb kjo sfidë sepse kam kaluar shumë momente të vështira në karrierën time dhe jam mësuar me këtë lloj presioni.

Personalisht e mora këtë përgjegjësi për të ndihmuar skuadrën dhe shpresoj që të njëjtën gjë të bëjnë edhe futbollistët”. Pas një fillimi jo të mirë të sezonit, me fitoren kundër Pogradecit, Vllaznia tregoi shenja ringjalljeje, duke u ngjitur në kuotën e 10 pikëve pas 7 ndeshjeve. Vata komenton zgjedhjen për të marrë drejtimin e ekipit pikërisht në këtë moment, ku mposhti konkurrencën e Sulejman Starovës dhe Shkëlqim Muçës. Ai konfirmon se nuk ka vënë kushte për merkaton, ndërsa zbulon arsyet përse vendimi nuk ishte aspak i lehtë. “Përforcime? Nuk kam vënë asnjë kusht për afrime në merkaton e janarit në kontratën time.

Vendimi për të marrë drejtimin e skuadrës ishte i vështirë, pasi Vllaznia nuk po kalon një moment të lehtë: ndoshta shumë trajnerë nuk do të pranonin të punonin në një situatë të tillë. Gjithashtu, për të punuar në Shkodër kam lënë familjen në Skoci. Nuk është diçka e vogël, pasi familja më ka dhënë gjithmonë energji për të ecur përpara, por shpresoj që te Vllaznia të gjej energji të reja”, shtoi Vata. Kontrata e tij te kuqeblutë përfundon në fund të sezonit, por i ngacmuar për mundësinë e rinovimit edhe gjatë verës, ish-kuqeziu u përgjigj: “Nuk më pëlqen të bëj plane afatgjata; përkundrazi dua t’i marr ditët një nga një. Objektivi është që së bashku me njerëzit që kam gjetur te Vllaznia të bëj më të mirën dhe të ndihmoj skuadrën”.