Kategoria e Parë/ Fusha si moçale, ja ku u luajt këtë javë
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Kanë mjaftuar disa rrebeshe shiu gjatë fundjavës së kaluar për t'i shndërruar një pjesë të mirë të fushave në Shqipëri në moçale.
Infrastruktura në Kategorinë e Parë është më shumë se problematike. FSHF ka mbyllur sytë në shumë raste duke licencuar stadiume jashtë çdo lloj kushti. Në një kohë që mjaftojnë pak reshje shiu që terrenet të shndërrohen thuajse në të papërdorshme. Dhe në sfidat e së shtunës u vu re qartë një fenomen shqetësues, fushat dhe stadiumet në gjendje mjerane.
Siç shihet edhe nga fotot, gjendja e fushës së Cërrikut ku u luajt Turbina-Sopoti ishte në kushte skandaloze. Baltë dhe ujë thuajse në të gjithë sipërfaqen e fushës. Pavarësisht kësaj, gjyqtarët vendosën të luhej, në një kohë që fare mirë ai takim mund të ishte shtyrë. Madje, librazhdasit e kanë kontestuar zhvillimin e atij takimi në atë fushë.
Edhe në Mamurras fotot tregojnë qartë kushtet në të cilat ndodhet stadiumi dhe fusha. Pjesa që ndan dhomat e zhveshjes me fushën ishte e mbushur plotësisht me ujë. Në një kohë që trajnerëve dhe zyrtarëve të FSHF-së u është dashur të qëndrojnë gjatë të gjithë kohës me këmbët në ujë. Në kushte të vështira të fushës është luajtur edhe në Krujë, Lushnjë, Burrel dhe Peqin.
Degradimi
Një pjesë e mirë e stadiumeve të Kategorisë së Parë, në mos janë degraduar, janë drejt rrënimit të plotë. Stolat janë luks në këtë ligë, në një kohë që ka ende stadiume pa rrethime dhe pa tribuna të mbuluara.
Stadiumi i Peshkopisë nuk ka një rrethim të jashtëm, në një kohë që tribuna e sajuar nuk mban më shumë se 100 tifozë. Në Burrel, stadiumi ruhet ende si një relike e vjetër që nga koha kur është ndërtuar dhe askush nuk tenton të ndryshojë realitetin.
Ndërsa në Mamurras, përtej kushteve shumë të vështira, pamja që të ofrohet në sfond duke ndjekur një ndeshje, është e denjë për filmat "thriller", aty ku varrezat janë pjesë e pandarë. Në Gjirokastër, aty ku Luftëtari synon Superioren, një pjesë e mirë e stadiumit nuk është e licencuar dhe forcat e rendit nuk marrin përsipër në ato pjesë që të ketë tifozë.
Sigurisht, ka edhe stadiume si ai i Fierit apo Sarandës që janë për t'u marrë shembull. Për të mos folur më pas për luksin që ka Elbasani për të luajtur në "Elbasan Arena".
Infrastruktura në Kategorinë e Parë kërkon ndërhyrje të menjëhershme, në një kohë që Bashkitë, të cilat në një pjesë të madhe kanë në pronësi klubet dhe sigurisht edhe stadiumet, nuk ndë- rhyjnë thuajse fare. Kjo sjell më pas edhe tkurrjen e tifozëve që është evidente tashmë në shumë stadiume të kësaj kategorie. Në një situatë të tillë, gjendja është alarmante.
Përgatiti: BESAR BOZGO
