Kastrioti pa frena, gallatë portierësh tek Iliria
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Kastrioti ka vazhdu ar serinë e fitoreve edhe në derbin me Ilirinë. Krutanët arritën të shënonin tre gola në pjesën e parë, ku dy prej tyre u shënuan nga goleadori i skuadrës, Jasmin Raboshta.
Ndërsa miqtë udhëtuan drejt Krujës me një portier, i cili në të 29-ën ndëshkohet me të kuq dhe lë skuadrën me 10 lojtarë. Këtu nis "gallata", pasi trajneri Pëllumb Ziri është i detyruar të vendosë një mbrojtës në rolin e portierit.
Por, edhe pse me 10 lojtarë që nga minuta e 29-të, në pjesën e dytë fushë-krujasit arritën të shënonin dy gola. Me këtë fitore Kastrioti vazhdon i vetëm në krye me diferencë tri pikë nga Besëlidhja. Java e ardhshme Kastriotin e pret transferta e vështirë ndaj Burrelit, ndërsa Iliria pret Adën e Velipojës.
Ndeshja- Kastrioti shfaqet i rrezikshëm që në fillim dhe në minutën e gjashtë zhbllokojnë shifrat me anë të sulmuesit Raboshta, i cili me një goditje tokazi e çon topin në rrjetë dhe 1-0. Krutanët nuk i kënaq vetëm një gol, por hidhen në kërkim të golit të dytë, i cili arrihet në minutën e 23-të, ku Hysa, vetëm për vetëm me portierin Zeneli, arrin ta mposhtë dhe 2-0.
Vetëm 5 minuta më vonë ka një ndërhyrje brenda zonës së Ilirisë të portierit Zeneli ndaj Raboshtës. Gjyqtari akordon penallti dhe karton të kuq portierin mik, i cili e lë Ilirinë me 10 lojtarë.
Duke qenë se skuadra fushë-krujase kishte ardhur vetëm me një portier, pasi "gardiani" i parë ishte i pezulluar prej shkak të kartonëve, trajneri Ziri detyrohet që të aktivizojë një lojtar në këtë pozicion. Ziri detyrohet që të zëvendësojë Ndreun me mbrojtësin Adnand Balliu, i cili vendoset si portier.
Nga pika e bardhë ekzekuton Raboshta, i cili nuk gabon dhe 3-0. Me këtë rezultat mbyllet pjesa e parë. Kastrioti e nis fraksionin e dytë me ndryshime, ku trajneri Plori largon Raboshtën dhe aktivizon Kozmajn. Ndërsa miqtë largojnë Ballokun dhe aktivizojnë Shkallën.
Megjithëse janë me një lojtar më pak, fushë-krujasit e ngrenë nivelin e lojës dhe shfaqen disa herë rrezikshëm në portën e Spahisë. Në minutën e 55-të Lleshi shënon golin e parë për Ilirinë.
Edhe pas këtij goli Iliria duket më kërkuese dhe Bardhi e Kurti kërkojnë golin e dytë, por pa mundur që të mposhtin portierin Spahija. Gjithsesi, goli i dytë i Ilirisë vjen në fund të takimit, ku në minutën e 89-të mbrojtësi Skënder Lilaj nga një goditje standarde i ngushton shifrat në 3-2. Me këtë rezultat u mbyll derbi i djeshëm mes Kastriotit dhe Ilirisë.
KASTRIOTI- ILIRIA 3-2
GOLAT: Raboshta 6´, 29´(11-m), Hysa 23´ / Lleshi 55´, Lilaj 89´
KASTRIOTI: Spahija, Doku, Jakupi (Voga 55´), Çutra, Domgjoni, Caca, Xhaferri, Korreshi, Djarmati, Hysa (Neziri 36´), Raboshta (Kozmaj 46´). Trajner: E.Plori
ILIRIA: Zeneli, Balloku (Shkalla 46´), Bushi, Sala, Lilaj, Lama, Kurti, Bardhi, Ndreu (Balliu 29´), Selaci, Lleshi (Brahimllari 67´). Trajner: P.Ziri
GJYQTARË: E.Demiraj, A.Mema, G.Kamolli
VËZHGUES: A.Trungu
DELEGAT: A.Tafaj
KARTONË TË VERDHË: Neziri 50´ /Shkalla 85´
KARTON I KUQ: Zeneli 29´