Karakaçi paguan nga xhepi për të mundur Vllazninë
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Tërbuni-Vllaznia është një derbi i prefekturës dhe pritet me interes nga të dyja tifozëritë. Vllaznia është mbështetur nga pukjanët gjysmën e parë të kampionatit në ndeshjet që ka zhvilluar në Pukë, por këtë herë është një sfidë për mbijetesë dhe rivaliteti sportiv do të ekzistojë edhe në shkallët e stadiumit, përveçse në fushë.
Trajneri i skuadrës së Tërbunit, Viktor Gjoni, ka startuar përgatitjet me lojtarët për sfidën ndaj shkodranëve dhe u ka kërkuar përqendrim maksimal. Nëse do të arrihet të merret një fitore në takimin e sotëm i jep edhe më shumë siguri ekipit dhe do të ngjitet në tabelën e klasifikimit.
Shkodrani - Mesfushori dhe kapiteni i Tërbunit, Abaz Karakaçi, që prej dy sezonesh mbron ngjyrat e këtij ekipi, ka paguar një milion lekë (të vjetër) në FSHF për të shlyer dënimin e Komisionit atë Disiplinës. Gjatë deklaratës së tij për "Panorama Sport", Karakaçi shprehet optimist për këtë përballje ndaj ekipit të zemrës, aty ku edhe është formuar si profesionist.
"Natyrisht që dëshiroja të isha edhe në dy takimet e kaluara ndaj Partizanit dhe Flamurtarit që t'i ndihmoja shokët, por ja që ndëshkohesh nganjëherë edhe pa të drejtë. Jo vetëm kaq, por s'ke çfarë të bësh se nuk mund të nxjerrësh të drejtën ndaj 'atij' që është më i madh se ti.
Megjithatë, çdo gjë duhet harruar dhe duhet që të shohim përpara", u shpreh fillimisht Karakaçi. Mesfushori ka folur edhe për përballjen me ishskuadrën e tij dhe ekipin e vendlindjes. Pavarësisht se nuk e mohon respektin për Vllazninë, mesfushori është i bindur se pukjanët do të kërkojnë rezultat pozitiv.
"Jemi të përqendruar dhe e kemi vlerësuar maksimalisht këtë sfidë. Gjatë gjithë javës është folur shumë për tre ekipet para nesh që janë edhe ata për mbijetesë, por ne kërkojmë që të mos e harrojnë edhe Tërbunin.
Mund të them që po i japim bukurinë kampionatit dhe po luajmë si të barabartë me të gjitha ekipet. Mos na nënvlerësoni, edhe pse deri tani na kanë ndëshkuar gjyqtarët. Tërbuni i fazës së tretë ka hyrë me më shumë potencial. Unë së fundmi u bëj thirrje tifozëve të na mbështesin", ka përfunduar Karakaçi.