e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Kampionet e Bajernit, rekord dhe kualifikim

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Kampionet e Bajernit, rekord dhe kualifikim

Misioni u krye! Bajerni i Mynihut, pas fitores së katërt radhazi në Grupin D, ka arritur të kualifikohet para kohe në 1/8-at e Champions- it, ashtu si Mançester Siti. Në dy ndeshjet e mbetura Bajerni është larguar 9 pikë nga vendi i tretë dhe 3 pikë nga “milionerët” e Pelegrinit. Por, synimi i ekipit të Guardiolës është të mbetet numri 1 në grup. Fitorja me vuajtje 1-0 kundër Viktoria Pilzenit në Çeki është arritur falë golit me kokë të Mario Manxukiçit në minutën e 65-të. Me këtë trepikësh të marrë bavarezët kanë barazuar rekordin e Barcelonës në Ligën e Kampioneve. Për kampionët e Europës ka qenë fitorja e 9 radhazi, po aq sa arriti Barcelona nga 18 shtatori 2002 deri më 18 shkurt 2003, rezultat që është rekord për të dyja skuadrat. Kujtojmë gjithashtu se bilanci i këtij fillimsezoni ka qenë më i miri në historinë e klubit bavarez: 4 fitore, 12 gola të shënuar dhe vetëm një të pësuar.


Ndeshja Kampionët e Europës nuk ishin mësuar të luanin në një stadium të vogël me 11360 spektatorë. Trajneri i Bajernit, Pep Guardiola, surprizon disi me formacionin duke lënë në qendërmbrojtje Van Bujtenin me Kontenton; Lahm në mesfushën defensive, kurse Myler bën “9 fals” duke ndërruar shpeshherë rolet me Gëcen në të djathtë. Me këtë formacion bombastik presioni ndaj vendësve ishte mjaft i lartë, aq sa në 15 minutat e para Bajerni gjuajti 6 herë në portë, kurse në minutën e 16-të shtylla i mohoi golin Shvajnshtaigerit, i cili gjuajti nga distanca prej 11 metrash. Viktoria Pilzen përpiqej ta mbante nën kontroll mbrojtjen, duke synuar të evitonte goleadën e bavarezëve si në ndeshjen e parë, kur kampionët fituan në shtëpi 5-0. Teksa ekipi i sllovakut Pavel Vrba zgjodhi kundërsulmin si armën për të frenuar bavarezët, ata arritën të rrezikonin seriozisht portën e Nojerit vetëm një herë në pjesën e parë (36′).


Zëvendësimet bëjnë diferencën Teksa Bajerni vazhdon të çalojë në pjesët e para, trajneri spanjoll Pep Guardiola korrigjohet në 45 minutat e dyta. Ashtu si ndaj Hofenhaimit në Bundesligë zëvendësimet e tij bëjnë diferencën. Spanjolli bën dy ndryshime në minutën e 59- të, duke hedhur në fushë Manxukiçin dhe Martinezin në vend të Mylerit dhe Shvajnshtaiger. Loja shndërrohet nga sistem me “9 fals” në modul me qendërsulmues.


Manxukiç shënon Nuk kaluan as 6 minuta që Bajerni të organizonte një aksion kundërsulmi dhe Manxukiçit t’i serivirej një top ideal nga Lahm, të cilin e çon me kokë direkt në rrjetë (65′). Kampionët e Çekisë shokohen, por më pas blindojnë portën duke mos lejuar asnjë gol tjetër. Kishin shansin të barazonin në minutën e 77-të, po në fund u mungon eksperienca dhe dinamika të gjunjëzonin portierin Nojer.

Guardiola mban fronin: Rekordin e thellojmë në Moskë


Ka qenë sërish i njëjti trajner, por me ekip tjetër që arrin një rekord në Champions. Teksa në vitin 2003 realizoi 9 fitore radhazi me Barcelonën, në këtë sezon spanjolli bëri të njëjtën gjë me Bajernin e Mynihut. Pas fitores me vuajtje 1-0 kundër Viktoria Plzen, Guardiola nuk ndalet shumë te gabimet dhe ndryshimet taktike. Ai e vë theksin te fitorja dhe thellimi i rekordit. “Jam shumë i lumtur për këtë rekord. Shpresoj dhe besoj se do ta thellojmë në ndeshjen e radhës në Moskë”, – tha Pep duke komentuar stilin e lojës. “Gabimet ishin evidente, por duhet theksuar se taktika mbrojtëse e Plzenit ishte mjaft efikase. Në fakt, ky duel ishte një test për ne. Për çudi vazhdojmë të zhgënjejmë në pjesën e parë dhe shkëlqejmë në të dytën. E shoh se kemi ende nevojë për kohë dhe disa korrigjime të vogla në sistem”, – përfundoi Pep.