Kukesi fiton dhe i largohet fundit
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Kukësi ka dhënë shenjat e para të ringjalljes me një fitore shumë të rëndësishme në Laç, duke u larguar njëkohësisht nga zona e ftohtë e klasifikimit të Kategorisë Superiore. Nënkampionët e sezonit të kaluar, e kishin filluar edhe këtë edicion me pretendime të mëdha, por deri para kësaj jave, e kanë parë vazhdimisht veten mes skuadrave që rrezikojnë rënien nga kategoria. Ndryshimi i trajnerëve, me largimin e Cungut dhe afrimin e Shensoit, duket se nuk bëri efekt, sepse rezultatet vijuan të ishin shumë larg atyre të kërkuara nga drejtuesit. Por dje, më në fund kuksianët kanë dhënë sinjalet e para të rikthimit në nivelet me të cilat i mësuan të gjithë në vitin e fundit.
Në transfertën në Laç, përballë një prej skuadrave më të qëndrueshme të kampionatit shqiptar, kuksianët kanë vuajtur shumë për të marrë tri pikët. Kjo sepse Laçi i Nicës ka dhuruar një paraqitje më se pozitive dhe ka vënë në vështirësi të thellë verilindorët me aksione mjaft të rrjedhshme dhe kundërzbritje që kanë detyruar portierin Koçi të bënte ndërhyrje të njëpasnjëshme për të shpëtuar katërkëndorin e tij. Goli i shënuar nga Tanushi në minutën e 58-të të ndeshjes, apo edhe traversa e goditur nga pak më vonë bardhezinjtë, bëri të mendohej sikur Laçi po siguronte tri pikë që e ngjitnin me meritë mes skuadrave të kreut të klasifikimit. Por një gjuajtje me kokë e Çikalleshit ka rivendosur barazinë në shifra dhe që nga ai moment, Kukësi ka marrë kontrollin e lojës. Nënkampionët kanë regjistruar rast pas rasti para portës së Llanit dhe kanë besuar deri në fund se mund të dilnin me tri pikë nga stadiumi. Ndaj penalltia e siguruar nga Hoxha në minutën e 94-t dhe e transformuar saktësisht nga Allmuça, ishte thjesht rrjedhojë e këtij insistimi dhe dëshirës që verilindorët shfaqën në fushën e lojës, ashtu siç kanë bërë në sezonin e kaluar apo gjatë paraqitjes së tyre mbresëlënëse në Europa League.
Ndërsa Kukësi ka dhënë sinjalet e ringjalljes, Vllaznia ka humbur një mundësi të artë për t’u bërë protagoniste kryesore në luftën për titullin kampion, pasi është ndalur në barazim 1-1 në shtëpi nga Bylisi. Në fakt, çdo rezultat tjetër mund të ishte i padrejtë për atë që u pa në fushën e lojës, pasi ballshiotët kanë shfaqur një lojë spektakolare duke vënë vazhdimisht në vështirësi prapavijën shkodrane dhe portierin Vujadinoviç. Për më tepër, goli i jashtëzakonshëm i Kulit në minutën e 72-të u dha atyre një avantazh më se të merituar. Por i zakonshmi Tomislav Bushiç shënoi pak minuta më vonë golin e barazimit për ekipin shkodran, të 7-tin në këtë kampionat, në mënyrë që vendasit të merrnin të paktën 1 pikë në këtë sfidë. Barazimi i hoqi mundësinë ekipit shkodran të ngjitej në vendin e dytë në klasifikimin e Superiores, me pikë të barabarta me Teutën, për t’u bërë “zyrtarisht” pretendent. Por gjithsesi, kuqeblutë duken të kënaqur edhe me faktin që në 10 javët e para kanë tejkaluar çdo lloj parashikimi dhe gjenden në pozita më se komode në renditje, ndërsa shumëkush mendonte se ata do të luftonin për mbijetesë.
Kategoria Superiore
Java 10
Rezultatet
Laçi–Kukësi 1-2
58’ Tanushi / 78’ Çikalleshi, 90’+4’ (p) Allmuça
Vllaznia–Bylis 1-1
80’ Bushiç / 72’ Kuli
Të premten
Teuta-Kastrioti 1-2
38’ Muriqi / 45’ Abraham, 59’ Turdiu
Të shtunën
Skënderbeu-Partizani 3-0
32’, 90’+3’ Pejiç, 90’+1’ Ribaj
Lushnja-Besa 1-0
18’ Bjelkanoviç
Tirana-Flamurtari 0-2
53’ (p), 83’ Zeqiri
Renditja
Skuadra Nd. P.
Skënderbeu 10 22
Teuta 10 19
Vllaznia 10 17
Lushnja 10 15
Partizani 10 14
Laçi 10 13
Kukësi 10 12
Kastrioti 10 12
Bylis 10 11
Flamurtari 10 11
Tirana 10 10
Besa 10 8