e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Kampionati ballkanik, kuqezinjtë jashtë podiumit

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Kampionati ballkanik, kuqezinjtë jashtë podiumit

Kombëtarja shqiptare e karatesë është rikthyer nga kampionati i 18-të ballkanik për të rritur që u zhvillua në Stamboll pa shumë histori. karateNë këtë aktivitet morën pjesë 11 shtete mes tyre edhe Shqipëria me 5 sportistë. I pari që hyri në parket ishte sportisti Kelion Panxha, i cili u ndesh në peshën +84 kg.

Në duelin e parë u ndesh me bullgarin Zvatkov Trevel, të cilin e fitoi 2-0. Më pas sfidoi serbin Trikos Bogdan, i cili fitoi me shifrat e ngushta 2-1. Në peshën 67 kg konkurronin Xhino Toli dhe Halil Marqeshi. Karateisti Marqeshi debutoi me kosovarin Artrit Halim.

Pas një gare të barabartë, ndeshja ishte fiksuar në rezultatin 0-0. Por sportisti ynë, për shkak të disa vërejtjeve, u penalizua duke e humbur ndeshjen. I dyti konkurroi sportisti Toli përballë sllovenit Rajliç Mladen. Sipas federatës, sportisti ynë me dy sulme të befasishme dhe të shpejta udhëhiqte 4-0.

Kundërshtari mori iniciativën duke sulmuar dhe në një moment shpërqendrimi të sportistit shqiptar përmbysi në 5-4 duke e eliminuar nga konkurrimi. Në peshën 75 kg u ndeshën sportistët Spajdi Selamaj, i cili u mund në ndeshjen e parë nga slloveni Ren Moriç me rezultatin 0-3 në një paraqitje jo të mirë të tijën.

Ndërkohë, Rajli Muçollari zhvilloi duelin e parë me rumunin Stejan Gabriel duke e fituar me rezultatin e thellë 7-0. Në sfidën e radhës ndaj maqedonasit Ivo Cvetkovski pati shumë rivalitet, por rezultati final foli për rivalin e shqiptarit me shifrat 6-5. Po sipas federatës, karateisti shqiptar 18-vjeçar mori pjesë për herë të parë me të rriturit duke demonstruar talentin e tij të padiskutueshëm.

"Në përfundim, pavarësisht rezultatit, pjesëmarrjen në kampionatin ballkanik mund ta konsiderojmë si një paraqitje të mirë të ekipit tonë", thuhej në deklaratën për shtyp të federatës.