e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Kalaja, gol me dedikim special: E zgjidhim shpejt mbijetesën

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Kalaja, gol me dedikim special: E zgjidhim shpejt mbijetesën

Arlind Kalaja ishte heroi i Vllaznisë në fitoren e djeshme në Ballsh. Sulmuesi shkodran shënoi golin e vetëm dhe pas ndeshjes ka rrëfyer emocionet në një prononcim për "Panorama Sport". Kalaja ka një dedikim special për babanë pas këtij goli vendimtar ndaj Bylisit.kalaja "Ishte një fitore e merituar e ekipit tonë. Kemi zhvilluar një ndeshje të mirë që nga minuta e parë, deri tek e fundit. Ishte një rezultat që na ka bërë të ndihemi shumë mirë. Kjo ishte një fitore që ka mbërritur pas një përgatitjeje intensive që kemi bërë gjatë gjithë kësaj jave.

E kishim vlerësuar maksimalisht këtë përballje, pasi kërkonim që të merrnim më të mirën dhe kështu ndodhi. Fitorja erdhi edhe si pasojë se ne e kishim vlerësuar kundërshtarin dhe ishim të motivuar. Goli i shënuar shpejt na rriti besimin se mund të merrnim një fitore", shprehet fillimisht futbollisti shkodran. Sipas tij, ka qenë një sfidë e vështirë, por e interpretuar si duhet nga shkodranët.

"Ekipi luajti mjaft mirë në të gjithë aspektet dhe nuk mendoj se rrezikuan për t'u ndëshkuar në asnjë moment. Natyrisht që festimet për një rezultat të tillë ishin të ligjshme. Goli që shënova shkon për të gjithë ekipin, pasi të gjithë kontribuuan në të, por edhe në mbrojtje të tij deri në fund.

Natyrisht që çdo gol i imi shkon edhe për familjen, por në veçanti për babanë tim. Ky ishte goli i dytë për mua brenda dy javësh. Një gol deciziv, ashtu siç ishte edhe ai me Tiranën. Shpresoj që edhe në takimet e ardhshme të arrij të shënoj dhe të kontribuoj për këtë skuadër", vijon Kalaja.

Në lidhje me mbijetesën, futbollisti nuk e fsheh kënaqësinë, por gjithashtu kërkon të qëndrojë me këmbë në tokë. Mendoj se me një fitore të tillë ia kemi lehtësuar disi punën vetes për sa i përket qëndrimit në Kategorinë Superiore.

Megjithatë, nuk duhet të fluturojmë para kohe. Gjithsesi, mendoj se Vllaznia tashmë nuk duhet që ta vërë më në dyshim çështjen e qëndrimit. Ka ende edhe 9 javë, por me këtë besim dhe optimizëm që kemi, sidomos pas kësaj fitoreje, mund të them pa frikë se ne nuk do të diskutojmë deri në javët e fundit qëndrimin. Mund të them se disa javë para përfundimit, emri i Vllaznisë nuk do të diskutohet për këtë çështje", është shprehur Kalaja dje pas ndeshjes për gazetën.