e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Ka mbetur jashtë formaciot, Lima: Po pres momentin tim

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Ka mbetur jashtë formaciot, Lima: Po pres momentin tim

Ka qenë sulmuesi më i rëndësishëm në dy fazat e para për skuadrën e Kukësit, megjithatë Mateus Lima duket sikur ka kaluar në plan të dytë. Braziliani flet në një intervistë për "Panorama Sport" momentin që po kalon me verilindorët, duke qenë i bindur se ekipi do të arrijë objektivat në këtë sezon.lima Jeni bashkuar më vonë se pjesa tjetër me ekipin. A është Lima në formën e tij më të mirë?

Nuk doja që të vonohesha në bashkimin tim me ekipin, por isha i detyruar për shkak të problemeve shëndetësore që kishte mamaja ime. Tani jam duke punuar fort që të arrij formën time më të mirë.

Megjithatë keni humbur vendin e titullarit...

Kjo është një gjë, e cila nuk më takon mua, por trajnerit. Unë jam profesionist dhe zbatoj çdo vendim të tij. Detyra ime është që të jap maksimumin në stërvitje dhe të ndihmoj skuadrën atëherë kur të më jepet mundësia. Ju vjen keq që nuk po gjeni më hapësira në ekip? Natyrisht që më vjen keq, pasi dëshira ime është që të jap kontributin siç kam bërë gjithmonë.

Emini është afruar gjatë merkatos së janarit, por po bën paraqitje mbresëlënëse. Si e shihni një gjë të tillë?

Ai është shoku im i skuadrës dhe po tregon një formë shumë të mirë. Jam i kënaqur që kolegu im po shënon dhe skuadra po ecën në rrugën e duhur.

Ka shënuar, por aq gola sa ju...

Thjesht e përgëzoj. Rëndësi ka që skuadra të fitojë dhe të ecë sa më lart për të realizuar objektivat. Unë jam i kënaqur që gjithkush të luajë sa më mirë dhe ekipi të ecë.

Si e shikoni situatën e bashkatdhetarëve tuaj në ekip?

Mendoj se janë mirë. Të gjithë punojnë shumë gjatë seancave stërvitore dhe japin maksimumin e tyre ku janë në fushën e lojës.

Mund të jepni një mendim në lidhje me ekipin aktual?

Mendoj se është më e fortë se më parë dhe po ecim mirë. Besoj se do të vazhdojmë të ruajmë këtë ritëm dhe do të realizojmë objektivat. Ekipi ka ndryshuar shumë edhe stolin e lojës dhe besoj se jemi në rrugën e duhur.

Ndeshja e radhës është ndaj Bylisit, skuadër së cilës i keni shënuar në Kukës. Do dëshironit ta bënit sërish të njëjtën gjë?

Çdo sulmues golat i ka si ajri, nëse do të bëja një krahasim. Kështu që edhe unë dua të shënoj jo vetëm ndaj Bylisit, por ndaj të gjithë ekipeve me të cilët luajmë. Nëse do të më jepet mundësia, do të bëj maksimumin për të ndihmuar ekipin, por pse jo edhe për të shënuar.

Sa e vështirë është gara në kampionat, por edhe në Kupën e Shqipërisë?

Kampionati është shumë i vështirë, pasi Tirana dhe Teuta janë dy skuadra që na ndjekin. Janë ekipe të forta, megjithatë unë jam i bindur se Kukësi do t'ia dalë. Ka ende shumë ndeshje në dispozicion dhe besoj se do të krijojmë një diferencë me ndjekësit tanë. Ndërsa në lidhje me Kupën, mendoj se jemi më të favorizuar, pasi ndeshjen e dytë e luajmë në shtëpinë tonë. Flamurtari është ekip i mirë, por ne e njohim pasi kemi luajtur ndaj tyre dhe me një përqendrim të madhe do t'i mposhtim.

Ku do të jetë e ardhmja e Limës?

Nuk mund të flas në lidhje me këtë çështje, pasi më parë dua që të arrij suksesin në këtë sezon me Kukësin.