e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Junajtid, oferte 'finale' per Fabregas

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Junajtid, oferte 'finale' per Fabregas

Ka pasur interesime, më pas deklarata, më pas oferta publike që më vonë janë bërë edhe zyrtare. Ka pasur edhe refuzime të ofertave dhe në fund Fabregas ka deklaruar se kërkon të qëndrojë në Barcelonë. Kjo është “çështja” e merkatos së Mançester Junajtid për mesfushorin e Barcelonës, Cesk Fabregas që duhej të ishte mbyllur që pas deklaratës së mesfushorit por drejtuesit e Junajtid mendojnë të rikthehen edhe një herë në Spanjë. Një ofertë prej 32 milionë sterlinash do të bëhet zyrtare në ditët në vijim nga drejtuesit e Mançester Junajtid për spanjollin.

Këtë gjë e raportojnë mediat angleze, dhe mendohet se kjo do të jetë edhe oferta e fundit e Mançesterit në drejtim të lojtarit. Dëmtimi i Fabregas, nuk do ta lejojë mesfushorin të luajë në ndeshjen hapëse të kampionatit për Barcelonën, dhe kjo periudhë do të shfrytëzohet nga drejtuesit e ekipit anglez. Disa ditë më parë nga ekipi i Junajtid deklarohej në një komunikatë zyrtare: ”Ne do të respektojmë vendimin e Fabregas”. Kjo deklaratë e klubit të Junajtid, ka ardhur pas deklaratës së Fabregas i cili kërkoi të qëndrojë tek Barcelona. Sipas “Sportsmail”, Junajtid në ditë e ardhshme do të bëjë zyrtare shumën prej 32 milionë sterlinash për mesfushorin spanjoll. Kjo ofertë mund të jetë edhe oferta finale për të realizuar rikthimin e Cesk në Premier Ligë.