e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Tifozet e Tiranes: Do protestojme para Bashkise per situaten e erret ku ndodhet klubi

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Tifozet e Tiranes: Do protestojme para Bashkise per situaten e erret ku ndodhet klubi

Tifozët e Tiranës kanë deklaruar se  do të dalin në protestë përpara Bashkisë për situatën e krijuar me klubin më të njohur në Shqipëri. “Më 16 gusht është 93 vjetori i krijimit të KF Tironës. Kjo ditëlindje e gjen Tironën në një gjendje kritike, në klub mbizotëron kaosi dhe e ardhmja është e pasigurt. Deri më tani kemi pritur zgjidhjen e ngërçit, por fillimi i kampionatit po afron dhe premtimet nuk po realizohen.

KF Tirona është vlerë e kryeqytetit, është pjesë e historisë e identitetit të tij. Ne jemi pjesë e Tironës e Tirona është pjesë e jona. Pasiviteti, keqadministrimi, mosdëshira apo mosveprimi për zgjidhje i vërejtur në morinë e viteve të fundit duhet të përfundojnë. Kërkojmë një zgjidhje për të rikthyer klubin drejt niveleve dhe stabilitetit të zakonshëm.

Ftojmë këdo që ndien për Tironën, çdo tifoz e dashamirës,  lojtar, pjesëtar të stafit, ish futbollist, figurë që ka kontribuar në të shkuarën bardheblu, e çdo njeri që e do dhe jeton me shqetësimet e këtij klubi të reagojë qytetarisht kundrejt situatës së errët ku gjendet klubi. Pa asnjë qasje politike, pa asnjë sens protagonizmi, vetëm për Tironën.

Ne do të jemi aty. Nëse e do, të dhemb, ndjen se duhet ti bashkohesh këtij reagimi masiv, takohemi të premten, ora 17:00, përpara Bashkisë së Tiranës, për të mbrojtur një nga vlerat kryesore të qytetit, Tironën.

Reagojmë, sot, përpara se nesër, të jetë shumë vonë. Tifozët e Tironës bashkë, të shumtë, për një qëllim. Reagojmë!” thuhet në deklaratën e Tirana Fanatics.