Josa: Titulli nuk vendoset në Kukës, luajmë për fitore
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Mirel Josa ka folur një ditë para përballjes me Kukësin që do të luajë në transfertë. Trajneri i kampionëve në një konferencë për shtyp theksoi që takimi ndaj verilindorëve nuk do të vendosë trofeun por me rëndësi është rezultati pozitiv.
"Mund të them se ne do të përpiqemi të bëjmë lojën tonë në Kukës, atë që dimë të bëjmë më mirë dhe të jemi sa më të përqëndruar në këtë takim. Se çfarë rezultati do të dalë nga kjo ndeshje, kjo mbetet diçka që do të vlerësohet pas përfundimit të takimit." Këto kanë qenë disa nga fjalët e djeshme të trajnerit të Skënderbeut Mirel Josa, 24 orë përpara ndeshjes në Kukës.
Ndeshja ndaj Kukësit pritet të jetë takimi më i rëndësishëm i gjithë sezonit për Skënderbeun, prej ku do të vendosë një pjesë të titullit kampion. Ndonëse do të përballet me një ekip që po gëzon formën më të mirë në kampionat, për trajnerin Josa ky takim nuk është aspak përcaktues. Numri një i pankinës së Skënderbeut, vlerëson maksimalisht kundërshtarin duke e quajtur një përballje të fortë për vetë faktin se do të luajnë ndaj njëra-tjetrës dy ekipet që kanë qënë rivalë në vitet e fundit, por nuk pranon që ky takim është vendimtar për titullin kampion, që sipas Josës do të vendoset javët e fundit të kampionatit.
Josa, sot përballë Kukësit, Skënderbeu është gati për një takim kaq të rëndësishëm?
Jemi munduar të vijmë sa më të gatshëm për këtë takim duke parë se kemi luajtur edhe në mesjavë por një pjesë të lojtarëve i kemi mbajtur pushim enkas për këtë ndeshje. Pavarësisht problemeve me mungesat besoj se jemi gati për të luajtur këtë takim.
Përballë do të keni Kukësin më në formë të kampionatit që nuk humbet prej shtatë takimesh. Do të jetë një ndeshje e vështirë?
Normalisht që pritet të jetë një takim i fortë, kjo edhe për vetë faktin se do të përballen dy ekipe që kanë qënë rivalë të titullit për këto katër vitet e fundit në kampionat. Ndeshja paraqitet mjaft e vështirë kjo për vetë ekipin që ka në dispozicion Kukësi dhe jo për shkak të formës së këtij ekipi. Do të jetë një takim mjaft i fortë që do të varet se si do të interpretohet ky takim nga dy ekipet por edhe nga trajnerët. Kjo do të jetë përcaktuese për rezultatin e këtij takimi.
Duke parë se jemi në fazën e fundit, mos ndoshta është një nga ndeshjet më të rëndësishme të sezonit?
-Ndeshja kundër Kukësit është e rëndësishme, por kurrësesi nuk mund të themi që është më e rëndësishmja e sezonit. Nuk është një ndeshje përcaktuese për vetë faktin se ka edhe shumë takime pas saj. Do të jetë një ndeshje tripikëshe, si për ne që luftojmë për titull si për Kukësin që ka objektivin një vend në Europë. Normalisht do të ketë takime të tjera që mund të jenë më vendimtare qoftë për ne qoftë për të tjerët.
Mungesa e Salihit sa do të ndikojë në ekipin e Skënderbeut?
Është një mungesë e rëndësishme për ne, jo vetëm mungesa e Salihit por të tre mungesat që do të kemi për këtë takim. Pavarësisht këtyre mungesave ne duhet të mësohemi të luajmë edhe me probleme të tilla dhe të japim më të mirën tonë. Në një sezon mungesat janë gjithmonë të pranishme dhe ma merr mendja se jemi mësuar me të tilla situata. Më e rëndësishme do të jetë që ne të dimë si të dalim mbanë për të zëvendësuar mungesat që kemi.
Duke parë intensitetin e lojës ndeshjet e fundit, jeni i kënaqur nga paraqitja e ekipit?
Duke lënë mënjanë ndeshjen e kupës, në kampionat besoj se kami ardhur duke e rritur nivelin e lojës sonë. Natyrisht që në disa takime kam pasur edhe momente që nuk kam qënë i kënaqur nga lojtarët e mi dhe loja e ekipit, si në ndeshjen kunër Vllaznisë ku duhet të bënim diçka më shumë. Megjithatë mund të them se ka edhe momente kur ekipi nuk punon si duhet pasi edhe lojtarët nuk janë makineri.
Keni gjashtë pikë diferencë nga vendi i dytë. A është një diferencë e mjaftueshme për ta interpretuar pa shumë presion takimin e nesërme ?
Dua të saktësoj diçka. Ne nuk kemi luajtur asnjë takim me presion deri tani. Ka qënë më shumë preokupim i ekipit për ndeshjen e radhës sesa një presion kundrejt nesh. Imagjinoni pak çfarë duhet të ndodhë me ekipet e tjera nëse do të kemi presion edhe ne që jemi në vendin e parë.
Duke parë këtë diferencë, do të luani për dy rezultate në Kukës?
Futbolli është mjaft kapricoz dhe prandaj që nuk dua të jap asnjë parashikim për këtë ndeshje apo diçka të tillë. Mund të them se ne do të përpiqemi të bëjmë lojën tonë, atë që dimë të bëjmë më mirë dhe të jemi sa më të përqëndruar në këtë takim. Se çfarë rezultati do të dalë nga kjo ndeshje, kjo mbetet diçka që do të vlerësohet pas përfundimit të takimit.
Nëse Skënderbeu fiton në Kukës, është e mbyllur përfundimisht çështja e titullit?
Shikoni, në futboll nuk mund të flasësh me nëse. Por megjithatë, meqë e bëtë si pyetje mund të them që asgjë nuk mbyllet pas këtij takimi, cilido qoftë rezultati. Janë edhe shumë takime në lojë dhe gjithçka mbyllet kur matematika ta thotë një gjë të tillë.