e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Josa: Maksimumin ne Zvicer per te shfrytezuar shanset per kualifikim

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Josa: Maksimumin ne Zvicer per te shfrytezuar shanset per kualifikim
Barazimi 0-0 i regjistruar në ndeshjen e parë në “Loro Boriçi” përballë Thunit duket sikur nuk i lë shumë shanse Vllaznisë për kualifikimin në turin e tretë të Europa League. Megjithatë, kuqeblutë janë optimistë dhe kanë si synim që të udhëtojnë drejt Zvicrës për të shfrytëzuar shanset e tyre për vazhdimin e aventurës në trofeun e dytë për nga rëndësia në kontinent. Trajneri Mirel Josa beson te lojtarët e tij dhe premton se skuadra nuk do të paraqitet e dorëzuar. Fituesja e këtij çifti do të luajë në fazën tjetër me italianët e Palermos. Një kundërshtar sugjestionues dhe mjaft prestigjioz, që i shtyn shkodranët të japin më të mirën në fushën e lojës. “Kampionati zviceran ka nisur përpara dy ditësh dhe kundërshtarët tanë mund të jenë në gjendje më të mirë fizike. Megjithatë, ne do të paraqitemi me synimin që të bëjmë më të mirën. Në këtë mënyrë do të kemi të paktën një shans të mirë për t’u kualifikuar”, - tha trajneri Josa.

Drejtuesi i stolit të Vllaznisë beson se për ndeshjen e së enjtes, nën presion është Thuni. Ai e cilëson si mjaft shpresëdhënës rezultatin 0-0 të përballjes së parë. Tekniku shtoi: “Janë thënë shumë gjëra për këtë ndeshje. Janë dhënë objektiva, madje është trumbetuar edhe fitorja. Gjithsesi, unë mund të them se ne udhëtojmë drejt Zvicrës për të luajtur futboll dhe të tregojmë kualitetin tonë. Besoj se barazimi pa gola në ndeshjen e parë është një rezultat mjaft favorizues për ne, e që vendos nën presion Thunin”. Gjatë ditës së djeshme, Vllaznia zhvilloi stërvitjen e fundit në Shkodër, ndërsa në mbrëmje skuadra udhëtoi drejt Podgoricës. Kuqeblutë kaluan natën në kryeqytetin malazez, ndërsa gjatë orëve të para të mëngjesit nisën udhëtimin me aeroplan drejt Zvicrës. Pas zbarkimit në tokën helvetike dhe akomodimit në hotel, pasdite Vllaznia do të zhvillojë edhe stërvitjen e fundit përpara ndeshjes me Thunin, që do të luhet nesër në orën 19.30, në “Arena Thun”.