Januzaj luan per Belgjiken, por nuk e ka vendin te sigurt
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Adnan Januzaj ka debutuar të hënën me Belgjikën, në fitoren 5-1 përballë Luksemburgut. Mesfushori shqiptar që zgjodhi të përfaqësojë Belgjikën vetëm pak javë më parë, u aktivizua në fillimin e pjesës së dytë në vend të Kevin Mirajas, një prej lojtarëve që kishte shprehur publikisht pakënaqësinë në lidhje me afrimin e një futbollisti që nuk kishte dhënë kontribut në kualifikuese. Megjithatë, trajneri Mark Vilmots e ka përfshirë Januzajn mes 23 lojtarëve të përzgjedhur për Botërorin dhe i dha mundësinë atij të tregonte talentin e tij para tifozëve belgë që në ndeshjen e parë miqësore. 19-vjeçari është shfaqur mjaft i kënaqur para mediave me këtë debutim, duke shpjeguar atë që i ishte kërkuar nga trajneri Vilmots, për ato minuta që kishte qenë në fushën e lojës.
“Detyra ime është që të luaj me një prekje, të dribloj, të argëtoj tifozët. Nuk isha nën trysni për këtë sfidë, pasi jam mësuar të luaj para 80 mijë tifozëve me Mançester Junajtid. Në përgjithësi, mund të them se jam i lumtur me debutimin tim”, tha Januzaj në përfundimin e takimit. Menjëherë është hapur debati nëse ai mund të luajë si titullar në radhët e Belgjikës, por trajneri Vilmots ka bërë të qartë se Januzaj nuk e kishte vendin të sigurt. “Ai na jep një dimension tjetër me lojën e tij, por ka konkurrencë të madhe në pozicionin ku luan ai”.
Fotoja
Eden Hazard ka publikuar një “selfie” me 19-vjeçarin për të treguar se Januzaj është integruar te Belgjika