e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Ja pse Anglia ose Franca nuk e kalon grupin

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Ja pse Anglia ose Franca nuk e kalon grupin

Anglia dhe Franca janë të qeta psikologjikisht, pasi mendojnë se dy vendet e para do përcaktohen mes tyre dhe se duhet të luftojnë vetëm për vendin e parë. Por, ky do të ishte një gabim që do bënin, pasi Suedia do të jetë një faktor i rëndësishëm, madje do i surprizojë. Franca – Kanë një forcë fizike për t’u admiruar. Kanë lojtarë jo vetëm të fuqishëm, por edhe që dinë të përdorin shumë mirë topin me këmbë. Luajnë saktë taktikisht dhe asnjëherë nuk shpërqendrohen në aksionet sulmuese, pra nuk kalojnë në aventurë. Kanë një finalizues të shkëlqyer në repartin e avancuar dhe dy mesfushorë me tipare fantazisti. Janë skuadra më e kompletuar e grupit, por fati i tyre do vendoset në duelin direkt me Anglinë. Nëse humbasin përballë ekipit të Hoxhsonit, mendoj se do eliminohen, pasi nuk do arrijnë as të fitojnë ndaj Suedisë. Anglia – Janë të paparashikueshëm, sepse kanë pasur shumë probleme. Nuk e di nëse me Hoxhsonin do reagojnë ndryshe nga Kapelo në fushë, por e di që gjithsesi do kenë probleme në organizimin e lojës.


Vitet e eksperiencës që kanë disa lojtarë, nuk kanë shërbyer që Anglia të jetë e qartë në lojën e vet. Përveç duelit direkt me Francën, i cili do të jetë vendimtar, ata do vuajnë si ndaj Suedisë, ashtu edhe ndaj Ukrainës. Këto dy të fundit janë ekipe që mbrohen në bllok dhe për të bërë diferencën ndaj tyre, duhet të kesh futbollistë që dinë të driblojnë të paktën një kundërshtar ose dy të tillë. “Luanët” vuajnë në këtë aspekt. Kanë futbollist të shpejtë, por jo driblues. Rrezikojnë jo pak që të mbeten në grup. Suedia – Unë i shikoj si surpriza e grupit. Nuk ka të bëjë me faktin se luan Ibrahimoviçi, por sepse janë mjaft të mirorganizuar.

Secili nga lojtarët është i qartë për detyrën që ka në fushë dhe funksionojnë si një makineri. I kam ndjekur në dy ndeshjet e fundit që kanë zhvilluar, ndaj Islandës e Serbisë, dhe më kanë pëlqyer, pasi mbrohen shkëlqyeshëm dhe kanë një shpejtësi të rrezikshme me futbollistët e krahut, pa përmendur edhe tërheqjen që i bën Ibra ekipit. Suedia fiton ndaj Ukrainës me më shumë lehtësi se Franca dhe Anglia, ndërsa mund të marrë pikë edhe ndaj këtyre të fundit. Mendoj se e kalojnë grupin. Ukraina – Janë vend organizator, por si nivel janë nën mesataren. Nëse do kishin zhvilluar fazë kualifikuese, mendoj se nuk do e kishin siguruar dot nj biletë për në Evropian. Edhe pse kanë futbollistë me eksperiencë, nuk janë në formë të mirë fizike dhe nuk kanë një lojtar që mund të bëjë diferencën. Në repartin sulmues gjithashtu nuk më kanë bindur, pasi kanë futbollistë shtatlartë, por askënd që t’i furnizojë me topa.