Interi kerkon Besart Berishen, De Biazi: Shans i arte, mrekulli nese do vije ne Seria A
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Besart Berisha pritet të bëjë një hap të madh drejt futbollit europian. Sipas mediave australiane (“couriermail. com.au”), sulmuesi aktual i Brisbane Roar kërkohet nga Interi i Milanos. Kontrata e sulmuesit 28-vjeçar skadon në fund të këtij sezoni dhe mundësia e rinovimit me skuadrën aktuale duket çdo ditë dhe më e vogël. Arsyet janë dy: së pari, futbollisti ka kërkuar një rritje të ndjeshme të rrogës së tij, e cila sipas mediave australiane mund të shkojë deri në 2.5 milionë dollarë në sezon; dhe së dyti se sulmuesi po has në një presion të vazhdueshëm nga familja e tij, e cila kërkon që të kthehet në Europë. Edhe vetë lojtari e ka shprehur disa herë dëshirën për t’u rikthyer, kjo për të pasur edhe më shumë mundësi aktivizimi me Kombëtaren shqiptare. Këtë të fundit Berisha e ka refuzuar në një farë mënyre kohët e fundit, për shkak të largësisë së madhe mes Australisë dhe Shqipërisë (gati 54 orë udhëtim vajtje-ardhje).
Tohir Ndërkohë, sipas mediave australiane, në kalimin e Berishës tek Interi mund të ndikojë direkt presidenti i zikaltërve, Erik Tohir. Në fakt, Interi dhe Brisbane Roar kanë një marrëdhënie shumë të mirë, duke qenë se presidenti i italianëve, Tohir, njihet për lidhjen me “The Bakrie Group”, pronarët indonezianë të klubit Brisbane Roar. Tohir është shefi ekzekutiv i “Visi Media Asia”, një organizatë e kontrolluar nga “The Bakrie Group”, e cila ka në pronësi dy kanale televizive dhe një shërbim online për lajme. Një tjetër mundësi është që Interi të blejë kartonin e bomberit shqiptar dhe ta huazojë atë sërish te Brisbane, por kjo bie ndesh me dëshirën e 28- vjeçarit për t’u transferuar në Europë, me qëllim që të qëndrojë më pranë familjes.
Kontrata Dëshira më e madhe e Brisbane është që Berisha të rinovojë me skuadrën qoftë edhe duke i ofruar rritje page. Në Australi aplikohet një limit për rrogën e lojtarëve, duke i lënë mundësinë secilës skuadër të ketë një lojtar, i cili përjashtohet nga ky rregull. Por, fatkeqësisht, për Brisbane është vendosur që këtë përjashtim nga rregulli ta përvetësojë për momentin lojtari Tomas Broish. Në këto kushte, klubi australian i ka bërë dje një kërkesë federatës australiane të futbollit që të heqë limitin e vendosur për pagat, të paktën edhe për një tjetër lojtar për çdo skuadër, kjo me qëllim që të mos humbasin Besart Berishën. Nuk dihet nëse kjo gjë do të pranohet nga federata, por ekziston mundësia që Berisha të kalojë te një skuadër e madhe si Interi, edhe nëse Brisbane arrin që t’ia plotësojë dëshirat për rinovimin e kontratës. Hera e fundit që sulmuesi kuqezi ka luajtur në një kampionat në Europë i përket sezonit 2010-2011, kur ai aktivizohej tek Arminia Bielefeld në Gjermani. Por, pas rënies së kësaj skuadre atë sezon në Bundesligën 3, Berisha u largua drejt Australisë, ku shpërtheu me lojën e tij.
Kush është Tohir, ish-presidenti i Salihit
Erik Tohir është pronari i kompanisë “Astra International”, e cila ka ekskluzivitetin për Indonezinë, të koncesionarëve për markat e veturave “Tojota”, “Pezho” dhe “Daitsu”. Ndërkaq miliarderi është edhe pronari i disa mediave të rëndësishme në Indonezi. Mësohet se nga bizneset e tij, Tohir vetëm në vitin 2013 ka përfituar shifrën komplekse prej 8 miliardë eurosh. Pasioni për sportin ka nisur në vitin 2011, kur bleu 40% të aksioneve të klubit të Filadelfias, e cila luan në kampionatin NBA. Ndërsa në vitin 2012, gjithmonë me ortakun e tij Levin, kanë blerë ekipin e futbollit DC Junajtid, klubi më i suksesshëm në SHBA, ku ka luajtur edhe Hamdi Salihi.
De Biazi: Shans i artë për Berishën, uroj që të vijë
Afrimi i mundshëm i Besart Berishës në Europë dhe ca më shumë në Itali tek Interi është pritur me entuziazëm edhe nga trajneri i Kombëtares shqiptare, Xhani de Biazi. Ky i fundit, i kontaktuar nga “Panorama Sport”, ka shpresuar dhe uruar që bisedimet të vijojnë me sukses dhe sulmuesi 28-vjeçar të mund të firmosë për zikaltrit në Serinë A. “Shpresoj jashtëzakonisht shumë që Besart Berisha të vijë dhe të luajë në Itali. Dhe, nëse skuadra e radhës do jetë Interi, aq më mirë akoma, pasi për të do jetë një rast i artë, për një eksperiencë shumë të rëndësishme të karrierës së tij. Kombëtarja? Është krejt normale që do ketë më shumë mundësi për t’u aktivizuar”, ka pohuar tekniku italian i ekipit tonë përfaqësues. Kujtojmë që Berisha ka qenë gjithnjë në orbitën e De Biazit, madje edhe është kërkuar zyrtarisht nga ky i fundit që sulmuesi të rikthehet në Kombëtare, por largësia mes Shqipërisë dhe Australisë e ka bërë të pamundur aktivizimin e Berishës me kuqezinjtë. Sakaq, një rikthim i tij në Europë do të sjellë edhe aktivizimin në ekipin tonë përfaqësues (gjithnjë nëse do preferojë që të mbrojë ngjyrat kuqezi, pasi duke qenë kosovar mund të kërkojë të luajë për Kosovën). Nëse kjo gjë ndodh, atëherë do ndryshojnë shumë gjëra në aspektin sulmues të skuadrës sonë. Duke qenë se De Biazi ka treguar më parë se preferon që për kualifikimet e Europianit të 2016-ës do tentojë të luajë me një sulmues dhe me 5 mesfushorë, “pyka” e vetme mund të jetë pikërisht Berisha. Kjo gjë do sjellë lënien në stol të lojtarëve si Hamdi Salihi, apo edhe Edgar Çani e Armando Sadiku. Sakaq, në krah të Berishës, në rol edhe të organizatorit mund të luajë Valdet Rama, çka e ka konfirmuar edhe De Biazi në një intervistë të pak kohëve më parë për “Panorama Sport”. Kështu, formacioni i Kombëtares mund të jetë: Etrit Berisha në portë, Lila, Cana, Mavraj dhe Agolli në mbrojtje. Roshi, Migjen Basha, Kaçe dhe Meha në mesfushë, teksa Valdet Rama në ndihmë të Besart Berishës.