Ikardi: Me Juven treguam krenari
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Mauro Ikardi është gati për ndeshjen e radhës së Interit. Sulmuesi argjentinas ka kaluar problemin muskulor dhe pritet që të jetë titullar në sfidën kundër Torinos.
"Rikuperimi po shkon mjaft mirë, pasi po punoj me qetësi prej gati dhjetë ditësh", tha 23-vjeçari. Në komentin e tij që dha për "Inter Channel", kapiteni i Interit vlerësoi maksimalisht kundërshtarët e radhës, edhe pse ndeshja do të luhet në "Meazza". "Në futbollin italian nuk ka ndeshje të lehta. Nuk duhet nënvleftësuar asnjë rivale, pasi të gjitha janë të forta dhe shumë të vështira për t'i mposhtur. Ende nuk kam harruar duelin e një viti më parë kundër Torinos. Kemi humbur atë ndeshje pas një goditjeje këndi në minutën e fundit", tha Maurito.
Optimizmi
"Ne duhet që të bëjmë mirë, ashtu siç kemi bërë deri në janar. Ka pasur një ulje të ritmit, por në duelin me Juventusin (të vlefshëm për Kupën e Italisë) ne kemi dhënë më të mirën. Në atë takim luajtëm me krenari dhe u bindëm për aftësitë tona", vazhdoi sulmuesi, i cili shpjegoi se dueli me "Zonjën" mund të konsiderohet si ai kthesës së madhe.
Objektivi
Në fund të prononcimit, Ikardi u pyet se sa shumë kishte ndikuar barazimi me Romën tek Interi për arritjen e objektivit të fundit sezonal. "Skuadra luajti shumë mirë në Romë. Ne mund të kishim fituar dhe të kishim marrë tri pikë përballë një rivali direkt. Por tani them se jo gjithçka ka mbaruar. Mbetet gjithçka e hapur, pasi në lojë janë ende shumë pikë. A është forma e Perisiçit decizive? Ai po kalon një periudhë të artë, pasi ka shënuar edhe në kombëtare. Për ne është fondamental, pasi na ndihmon të gjithëve", tha Maurito.