Idrizi: Ky është Flamurtari që dua
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Barazimi me Partizanin në shtëpi i arritur në minutat e fundit ka rikthyer qetësinë te Flamurtari.
Loja e mirë që ekipi tregoi ka bindur edhe administratorin Sinan Idrizi, i cili në një prononcim për "Panorama Sport" nuk i kursen elozhet në drejtim të lojtarëve të tij.
Gjithashtu ai ka thënë se vlonjatët mund ta kishin fituar ndeshjen, ndërkohë që kërkon vazhdimësinë.
"Ishte gjithçka super. Kisha kohë që nuk shikoja një Flamurtar të tillë. Dua të them se jam i kënaqur nga loja në ndeshjen me Partizanin. Lojtarët u paraqitën shumë mirë. Mund të them se edhe mund ta kishim fituar takimin. Edhe ndërrimet ishin efikase.
Me pak fjalë, dua të them se jam i kënaqur. Lojtarët treguan dinjitet në fushën e lojës dhe karakter. Pavarësisht barazimit që ishte i vlefshëm, pasi ne kemi nevojë për pikë, jam i kënaqur nga loja dhe grinta që pashë në fushë. Pas ndeshjes takova edhe trajnerin Ramadani, të cilin e përgëzova për atë që skuadra tregoi. I inkurajova që të vijojnë kështu deri në fund", u shpreh fillimisht Idrizi.
Vazhdimësia
Flamurtari do të ketë një takim shumë delikat në Laç në fundjavë. Kurbinasit vijnë pas një humbjeje në kryeqytet me Tiranën dhe tani rrezikojnë shumë në renditje. Megjithatë, për Idrizin skuadra i ka të gjitha shanset që të dalë me pikë.
"Besoj në një rezultat pozitiv në takimin me Laçin. Pse të mos marrim më të mirën? I kemi mundësitë dhe grupin e lojtarëve për ta arritur këtë. Ndaj lojtarët duhet të tregojnë karakter në fushën e lojës, të respektojnë fanellën dhe ta ndiejnë peshën e saj. S'e mendoj kurrë dhe nuk më shkon në mendje që Flamurtari do të bjerë nga kategoria. Jo, kjo nuk do të ndodhë kurrë", ka vazhduar drejtuesi vlonjat.
Kupa
Sinan Idrizi thotë se Flamurtari është ende në lojë për Kupën e Shqipërisë, pavarësisht humbjes në ndeshjen e parë me Kukësin. Ai nënvizon se kuqezinjtë do të bëjnë më të mirën në këtë përballje. "Jemi ende në lojë për Kupën dhe mund të bëjmë edhe surprizën. Besoj se çdo gjë është e mundur. Unë do të kisha shumë dëshirë që ndeshja të mbyllej 0-0 dhe kjo do të ishte shumë perfekte. Megjithatë, edhe në këto kushte kanë shumë besim se mund të ndodhë surpriza. Ka rëndë- si që gara për të shkuar deri në finale është ende e hapur", ka mbyllur administratori i Flamurtarit.
Përgatiti: ERMAL SIKA