e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Artim Shaqiri i shkel syrin Partizanit

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Artim Shaqiri i shkel syrin Partizanit

Në mbrëmjen "Gala" për festimin e 70-vjetorit të themelimit të klubit morën pjesë shumë sportistë që kanë kontribuar për të kuqtë, dashamirës të Partizanit, si dhe personalitete të tjera nga brenda dhe jashtë vendit. artim shaqiri

I ftuar në këtë mbrëmje ka qenë nga drejtuesit e klubit edhe ish-trajneri i Kukësit, Artim Shaqiri, i cili në një prononcim për televizionin "Telesport" ka pranuar se i pëlqen që në të ardhmen të drejtojë "demat e kuq".

Pra, në njëfarë mënyre trajneri nga Struga i "shkel syrin" Partizanit dhe e lë si një dëshirë që kërkon ta realizojë në të ardhmen.

"Kënaqësi që marr pjesë në këtë festë dhe kam dëgjuar se ky manifestim ndodh vetëm një herë, pasi është madhështor. Kisha dëshirë që ta shikoja dhe m'u dha mundësua nga disa miq të mi e drejtuesit e klubit. Duke pasur parasysh që Partizani është një klub i vjetër, të cilin tifozët e kanë ndjekur në të mirë dhe në të keq, qoftë kur kanë arritur rezultate pozitive, apo edhe negative, siç ishte zbritja në kategoritë inferiore. Por një klub i madh kthehet aty ku e ka vendin. Që të bëhesh një klub i madh duhen hapa dhe periudha të gjata. Partizani e ka këtë periudhë, pasi 70 vite nuk janë pak. Mendoj se është momenti që Partizani të tregojë forcat dhe aftësitë e veta në kampionat dhe të fitojë edhe titullin.

Një ditë si trajner i Partizanit? Puna e trajnerit të bën që asnjëherë të mos thuash jo. Do të jetë kënaqësi për mua që një ditë të jem pjesë e Partizanit. Për momentin nuk mund të them asgjë, pasi e kanë një trajner, kanë rezultate, mbajnë vendin e dytë dhe synojnë titullin. Gjithsesi, në të ardhmen s'i dihet", u shpreh trajneri nga Struga, Artim Shaqiri.