Idrizi, 50 mln lekë për fëmijët e tifozit të ndjerë
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Administratori i Flamurtarit, Sinan Idrizi, shprehet i shokuar pas ngjarjes së ndodhur të mërkurën në stadium, ku tifozi Mikel Selmanaj humbi jetën.
Në një prononcim telefonik nga Turqia për "Panorama Sport", Idrizi ka vendosur t'u sigurojë donacion deri në moshën 18- vjeçare dy fëmijëve të viktimës. Për këtë, sot Idrizi pritet që të kthehet urgjentisht në Vlorë.
"Jam i shokuar nga kjo ngjarje. Po më dridhet trupi kur e mora vesh dhe nuk po mbledh dot veten. Të shkosh në stadium për qejf dhe të përfundosh në shtëpi me arkivol, kjo është skandaloze! Fat i keq që ne nuk kemi kamera sigurie në atë zonë, ku ndodhi ngjarja, pasi i kemi në pjesën e përparme të tribunës.
Por, kam folur me drejtuesit e klubit dhe u kam thënë që të vendosin në dispozicion çdo gjë nga kamerat për hetimin. Ishte djalë i vetëm, la dy jetimë dhe më vjen shumë keq. Për këtë ngjarje, nesër (sot) do të kthehem urgjentisht në Vlorë.
Do të shkoj në Sigurimet Shoqërore dhe do t'u lidh pension deri në 18 vjeç dy fëmijëve të tij. Do të derdh në llogarinë e tyre 50 milionë lekë, pasi dua që t'i ndihmoj derisa të bëhen zot të vetes. Këto janë nga ana ime dhe jo nga klubi, sepse dua që atyre jetimëve të mos u ndërpritet pensioni", deklaroi fillimisht Idrizi. Ndërkohë, kreu i klubit vlonjat bën me dije se asnjë nuk ka të drejtë të prekë tifozët, qofshin këta edhe punonjës policie. "Kishte 40 vjet që Mikeli ndiqte nga pas Flamurtarin.
Nuk ka munguar asnjë ditë në stadium, që i vogël e deri tani që u bë burrë. Për mua nuk ka rëndësi më ajo ndeshje, por kjo ngjarje që më ka lënë pa frymë. Askush, qofshin këta edhe punonjës policie nuk kanë të drejtë të prekin me dorë tifozët. Ata janë të shenjtë dhe kur shajnë dhe ofendojnë diç- ka nuk shkon", ka përfunduar administratori Idrizi.