e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Zgjedhjet te Sporti, ka akuza për manipulime

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Zgjedhjet te Sporti, ka akuza për manipulime

Zgjedhjet për autoritetet dhe organet drej tuese në Universitetin e Sporteve, me epilog 20 prillin, kanë hyrë një fazë të nxehtë, ku nuk mungojnë as akuzat për manipulime nga kandidatët. ferdinand canajDy kandidatët për anëtarë të senatit akademik dhe dekan në Fakultetin e Veprimtarisë Fizike dhe Rekreacionit Prof.Asc.Dr Ferdinand Canaj dhe Prof.Asc.Dr Ferdinand Mara pretendojnë se ndaj kandidatit të tretë, njëherësh dekani në detyrë Prof.Dr Agron Kasa, ka një masë disiplinore ndaj dhe duhet të çregjistrohet.

Në një prononcim për "Panorama Sport" dy kandidatët kërkojnë barazi. "Ne e kemi filluar këtë proces me shkelje të rregullores të njërit prej kandidatëve për postin e dekanit, por edhe për anëtarë të Senatit Akademik. Kjo shkelje konsiston në mënyrën se si është bërë kërkesa për t'u regjistruar për të dyja kandidimet. Ne si kandidatë plotësojmë një formular në të cilin duhet të vetëdeklarojmë se jemi pa masa disiplinore, pa masa penale dhe pa dënime të tjera të kësaj natyre apo nuk kandidojmë në poste të tjera në bazë të rregullores.

Ne kemi vënë re se kur u shpallën listat e kandidatëve se personi në fjalë në dijeninë tonë kishte një masë e cila ishte akoma në fuqi ndërsa ai u regjistrua. Masa disiplinore e ka afatin e saj 6 muaj. Pra, ajo përfundonte në datën 5-6 prill. Si e tillë koha kur ka mbaruar procesi i kandidimit, zoti Kasa ka qenë nën dënim dhe kjo e bën atë që të skualifikohet. Për këtë ne jemi ankimuar në KIZ dhe KZF, gjithashtu i kemi dërguar një ankesë edhe Komisionit të Apelit", u shpreh fillimisht kandidati Canaj. Po sipas tij, fillimi me shkelje do të cenojë të gjithë procesin.

"Ne mendojmë që ndaj personit Agron Kasa është mbajtur një qëndrim favorizues, ndërsa ai është i ndëshkuar", e mbylli deklaratën Ferndinand Canaj. Në një linjë me kolegun ka qenë edhe kandidati Mara, pedagog prej 27 viteve në specialitetin e gjimnastikës.

"Unë si kandidat për dekan fakulteti njëkohësisht edhe për anëtar senati jam i shqetësuar për arsyen sepse një nga rivalët që kam në këto poste drejtuese është profesor Agron Kasa, i cili ka një masë disiplinore vërejtje me paralajmërim për përjashtim nga puna për një shkelje flagrante të ligjit që ka bërë lidhur me firmosjen e një doktorature të një pedagogu që i ka dhënë doktoraturën ndërkohë që shpallja e saj nuk ishte hapur.

Për këtë arsye, Auditi i Ministrisë së Arsimit pas verifikimeve që ka bërë ka konstatuar dhe sugjeruar shkarkimin e zoti Agron Kasa, gjë e cila kaloi në masë paralajmërim me pushim nga puna. Jo vetëm që nuk i lejohet, por zoti Kasa ka bërë edhe një vetëdeklarim të rremë duke firmosur vetë që nuk ka masë disiplinore", theksoi Mara. Ai bëri apel që gara të bëhet e ndershme, e hapur dhe e barabartë midis të gjithëve. "Por me këtë shkelje, ky duhet të çregjistrohet. Në të kundërt do të vazhdojmë me organet kompetente që merren me problematikën që janë edhe organet gjyqësore".

Replika/ Agron Kasa: Përgjigjen do ta japë Komisioni i Apelit

I vënë nën akuzë nga dy rivalët e tij për postin e dekanit në Fakultetin e Veprimtarisë Fizike dhe Rekreacionit, kandidati Agron Kasa u përgjigj se dy kandidatët e tjerë janë krejtësisht gabim në pretendimet e ngritura.

Në një reagim për gazetën "Panorama Sport", dekani Kasa sqaroi se duhet të lëmë Komisionin e Apelit që të shprehet për këtë çështje. Ai bën me dije gjithashtu se është shprehur ligjërisht te të gjitha strukturat.

"Tani që po flasim bashkë është mbledhur Komisioni i Apelit që po merret me këtë çështje. T'i lëmë të shprehen, si do të vendosin ata do të gjykojmë. Sa u përket pretendimeve, unë e kam paraqitur me shkrim. I kanë pretendimet në Komisionin e Apelit. Ata janë krejtësisht gabim për këtë gjë. Fakti që jam kandidat tani do të thotë që ky është pozicioni që unë kam. Jam shprehur ligjërisht, i jam shprehur Komisionit të Apelit, strukturave që janë. Pra, kjo është e gjitha. Lëreni procesin të përfundojë, pastaj keni të gjitha mundësitë që të gjykoni", ishte replika e Prof.Dr Agron Kasës.

Funksionin e dekanit të Veprimtarisë Fizike dhe Rekreacionit në Universitetin e Sporteve të Tiranës do ta merrte në zgjedhjet e muajit qershor në vitin 2013. Në listën e bërë publike tashmë të kandidatëve për dekan për zgjedhjet e 20 prillit janë Agron Kasa, Ferdinand Mara dhe Ferdinand Canaj, ndërsa për anëtarë të senatit akademik Arben Kaçuri, Ferdinand Mara, Ferdinand Canaj, Robert Çitozi, Kujtim Haxholli, Agron Kasa dhe Spartak Bozo.

Përgatiti: OLGERT SERANI