I bie vlera, Ronaldo kërkon falje
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Deklarata e tij pas ndeshjes me Atle tikon bëri shumë bujë, por Kristiano Ronaldo është shpjeguar përpara shokëve të skuadrës dhe u ka thënë se gjithçka është keqkuptuar.
"Në rast se të gjithë do të ishin si unë, Reali do të ishte në vendin e parë", tha portugezi. Diçka e tillë bëri xhiron e botës, ndërsa ditën e djeshme përpara se Reali të fillonte stërvitjen, ylli madrilen ka vendosur t'u thotë të gjithë lojtarëve se nuk ka pasur asnjë qëllim të keq.
Sipas gazetës "As", Ronaldo u ka kërkuar falje futbollistëve nëse janë ndier të ofenduar, por ka këmbëngulur se deklarata e tij është keqinterpretuar. "Unë nuk mendoj se jam më i mirë se askush. Unë jam njëri prej jush. Fjalët e mia janë keqkuptuar sepse unë nuk e kam thënë me atë kuptim", mësohet se ka thënë Ronaldo përpara shokëve të skuadrës. Pas kësaj, stërvitja ka vazhduar normalisht.
Vlera e kartonit - Nuk kanë fund telashet për portugezin, i cili tani s'e sheh më veten në majën e botës së futbollit. Vitet kalojnë dhe mosha fillon të ndihet, pavarësisht faktit se është numri dy pas Lionel Mesit.
Për ecurinë aspak të mirë të tijën dhe të Realit gjatë këtij sezoni, faqja e specializuar "transfermarkt" ka vendosur të zbresë 10 milionë euro nga vlera e kartonit të Ronaldos. Më parë ai kushtonte 120 milionë euro, ndërsa tani shifra ka shkuar 110 milionë.
Diçka e tillë ka ardhur si pasojë e faktit që Ronaldo ka shënuar, ka goditur portat kundërshtare dhe ka rikuperuar shumë herë më pak, në krahasim me dhjetë sezonet e tij të fundit. Në këtë sezon, portugezi ka një mesatare 0.85 gola për ndeshje, ndërsa më parë shifra më e ulët ka qenë 1 gol për ndeshje. Ecuria negative e Realit, ndoshta shkon paralelisht edhe me atë të Ronaldos.