Suarez: Ëndërroj të majtën e Mesit dhe shpejtësinë e Nejmarit
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Luis Suarez vazhdon t'u thurë elozhe partnerëve të tij të sulmit te Barcelona, Lionel Mesit dhe Nejmarit, duke deklaruar se një përzierje e talentit të tij dhe e talentit të argjentinasit dhe brazilianit, do të krijonte futbollistin modern të këtyre kohëve.
"MSN" ka shënuar këtë sezon plot 94 gola dhe dhënë 45 asiste, ndërsa skuadra e Luis Enrikes po i drejtohet e qetë mbrojtjes së titullit kampion dhe është kualifikuar edhe në finalen e Kupës së Mbretit.
Gjërat duken pozitive edhe në Ligën e Kampioneve, ku ata e kanë bërë hapin për të prerë biletën në çerekfinale pasi fituan 2-0 ndaj Arsenalit në "Emirates". Dhe një situatë të tillë uruguaiani është duke e shijuar tej mase së bashku me dy partnerët e tjerë amerikanojugorë të sulmit.
Ish-sulmuesi i Liverpulit, i cili dje fitoi edhe çmimin e Lojtarit më të mirë Amerikanojugor për vitin 2015, tha gjatë ceremonisë se marrëdhënia e shkëlqyer që trioja e sulmit të Barcelonës ka jashtë fushe, e ka ndihmuar atë dhe shokët e skuadrës që të shprehen më mirë në fushë.
"Unë do doja të kisha këmbën e majtë të Mesit, e cila është unike në botë, e mrekullueshme dhe shpejtësinë e Nejmarit. Të gjithë lojtarët kanë një marrëdhënie të shkëlqyer dhe kjo duket. Jemi gjatë gjithë kohës duke qeshur dhe u përqafuar dhe kjo nuk ndodh vetëm mes neve të treve. Ne nuk bëjmë asgjë të sforcuar, e gjithë kjo marrëdhënie rrjedh spontanisht. Thjesht e shikojmë këtë raport dhe jemi të lumtur kështu si jemi", deklaroi "El Pistolero".