Hysaj: Pa frikë në Europian, ja avantazhet e Shqipërisë
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Elseid Hysaj mendon se, përveç mungesës së eksperiencës, Shqipëria ka avantazhe në tri ndeshjet që do të luajë në Europian.
Në konferencën e djeshme për shtyp, mbrojtësi i Napolit foli për miqësoret e radhës, por edhe të ardhmen e tij, duke mohuar interesimin e Atletiko Madridit. Shkodrani shpreson të shpallet kampion në Serinë A.
Elseid, do të luani ndaj Austrisë dhe Luksemburgut. Mendoni se në prag të Europianit duhet të sfidonim kundërshtarë më të fortë?
Tani të gjitha skuadrat janë të forta. Pavarësisht nivelit që ka Austria me Luksemburgun, mendoj se kemi të bëjmë me dy ndeshje të rëndësishme për të vazhduar me përgatitjet në Europian.
Sa do t'i vlejnë skuadrës këto dy miqësore?
Çdo ndeshje ka rëndësinë e saj. Sa më shumë të luajë skuadra, aq më mirë është. Ne nuk i shikojmë si ndeshje miqësore, pasi kemi synime për të marrë maksimumin në të dyja përballjet. Jo vetëm me rezultat, por edhe me lojë. Austria dhe Luksemburgu do të jenë si një matës i mirë për gjendjen e skuadrës. Trajneri ka mundësi për të evidentuar ndonjë defekt.
Në Francë kërkohet perfeksion, çfarë prisni?
Ne kemi besim tek aftësitë tona si grup. Të gjithë e panë që u kualifikuam me meritë, në një nga grupet më të vështira të eliminatoreve dhe jam i bindur se do të jemi në nivelin e skuadrave të tjera pjesë- marrëse ne Francë. Do të japim shpirtin në fushë për t'u kualifikuar. Nuk e konsiderojmë diçka të pamundur, por sigurisht do të jetë e vështirë. Ne kemi besim se do t'ia dalim. Shqipëria merr pjesë për të parën herë në një kompeticion të rëndësishëm si Europiani.
Cilat mendoni se janë avantazhet dhe disavantazhet?
Besoj se avantazhi ynë do të jetë fryma e grupit dhe dëshira e madhe që skuadra ka për të vazhduar sa më gjatë të jetë e mundur. Por, skuadra jonë ka edhe cilësi të tjera. Përveç eksperiencës, Shqipëria ka gjithçka në favorin e vet. Skuadrat e tjera pretendente do të luajnë me tension përballë nesh, kurse ne luajmë pa frikë.
Cila prej tre ekipeve ju duket më i vështirë për t'u përballur?
Të tri skuadrat kanë eksperiencë në evenimente të tilla. Nuk nënvlerësoj asnjërën prej tyre, por mendoj se Franca dhe Zvicra janë skuadra mjaft të rrezikshme, pasi kanë kualitete. Ne kemi luajtur kundër tyre dhe kemi informacione të bollshme. E kemi të qartë lojën e tyre dhe do mundohemi të bëjmë më të mirën për të arritur rezultate. Rumania gjithashtu ka një ekip të fortë dhe mjaft të rrezikshëm. Po flitet gjithnjë e më tepër për interesimin e klubeve të ndryshme për ju.
Së fundmi ka zëra se Atletiko Madrid ju ka bërë ofertë, si është e vërteta?
Nuk ka asgjë zyrtare. Jam shumë dakord me ju kur thoni flitet. Kam dëgjuar edhe unë si ju, por nuk kam dijeni për asnjë ofertë zyrtare. Për momentin, unë jam i përqendruar te Napoli dhe Kombëtarja. E rëndësishme për momentin është paraqitja ime dhe unë do jap 100% të mundësive të mia për të rritur performancën, pastaj në të ardhmen nuk i dihet. Napoli ndodhet tashmë tri pikë larg Juventusit të vendit të parë.
Sa mundësi ka të shpallet kampion?
I kemi të gjitha mundësitë për t'u shpallur kampion, pasi skuadra po vjen çdo ditë e në rritje. Fakti që jemi të dytët, do të thotë se nuk është krejtësisht në dorën tonë për t'u shpallur kampionë, pasi duhet të paraqitet dobët Juventusi. Megjithatë, ne jemi duke punuar shumë dhe po i konsiderojmë të gjitha ndeshjet e mbetura si finale. Në fund do të shikojmë çfarë kemi mundur të bëjmë.
Përgatiti: Leonidha Musaj