Prova pa fund, De Biazi mban pezull kuqezinjtë
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Kombëtarja vijon me marshin "e pestë" përgatitjet në Durrës, në kuadër të dy miqësoreve me Austrinë dhe Luksemburgun.
Trajneri Xhani De Biazi duket se po u jep mundësinë të gjithë lojtarëve për të veshur fanellën e titullarit, natyrisht gjatë testimeve në stërvitje. Italiani po bën prova pa fund, derisa të arrijë në një konkluzion për 11 lojtarët që do të zbresin në fushë nga minuta e parë kundër Austrisë.
Qëllimi i De Biazit është që të hedhë në fushë atë që mendon se është më në formë. Këtë e ka treguar edhe në ndeshjet eliminatore, ku asnjëherë nuk luajti me të njëjtin formacion të sfidës paraardhëse. Edhe pse janë zhvilluar disa seanca stërvitore, kreu i pankinës kuqezi nuk është bindur ende për 11- shen.
"Panorama Sport" vëzhgoi dje seancën e pasdites dhe nga ajo që u pa, pritet që Shqipëria do të vazhdojë të luajë me të njëjtin modul loje, sikurse gjatë eliminatoreve të fundit. Pikërisht me skemën 4-5-1, që kthehet edhe në 4-3-3 kur kuqezinjtë sulmojnë. Prej tri seancash stërvitore në Durrës, mbrojtësi i majtë, Ansi Agolli, dhe mesfushori i qendrës, Ergys Kaçe, janë të vetmit që kanë mbajtur të veshur jelekun e titullarit, paçka se asnjëherë skuadra nuk ka qenë e njëjtë. Italiani e di fort mirë se në Francë nuk mund të fluturojë vetëm me 11 lojtarë titullarë, por kërkon të provojë sa më shumë elementë në pozicionet ku vërtet ka dyshime.
Titullarët
Ndryshe nga seanca e së martës, dje italiani provoi në krahun e majtë të mesfushës Ermir Lenjanin, i cili zuri në këtë mënyrë vendin e Shkëlzen Gashit. Mbrojtja përbëhej nga Lorik Cana dhe Arlind Ajeti në qendër, ndërsa nga krahët vepronin Frederik Veseli në të djathtë dhe Ansi Agolli në të majtë. De Biazi provoi në këtë mënyrë Veselin në vendin e titullarit të padiskutueshëm Hysaj.
Nga ana tjetër, mesfusha përbëhej nga treshja qendrore: Burim Kukeli-Taulant Xhaka-Ergys Kaçe. Ndërsa në rolin e mesfushorëve të krahut ishin Lenjani në të majtë dhe Odise Roshi në të djathtë. Në sulm e nisi Sokol Cikalleshi, i cili vijoji të ndërrojë jelekun e titullarit me Bekim Balajn.
Herë pas here De Biazi ndryshonte qendërsulmuesit, por megjithatë sot pritet të marrë formë skuadra me të cilën trajneri do të prezantohet në Austri. Dje u provuan skema të ndryshme, ku rëndësi të veçantë, edhe një herë, i dha repartit të prapavijës, duke bërë ndryshime të shpeshta në formacion.
Nga Durrësi, LEONIDHA MUSAJ