Hysaj: Dritherima, kur lexova se me kerkon Juventusi
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Lojërat e mira që ka bërë si me Empolin në Serinë A dhe me Kombëtaren shqiptare e kanë vënë në qendër të vëmendjes, ndaj edhe nuk është rastësi që mediat italiane kërkojnë ta intervistojnë. Bëhet fjalë për Elseid Hysajn, i cili në një intervistë të fundit (iltirreno.gelocal.it) ka prekur edhe zërat e merkatos, të cilat e çojnë drejt kampionëve të Italisë, Juventusit.
Dukeni në formë, pavarësisht zërave për një dëmtim që keni pësuar në ndeshjen miqësore Itali-Shqipëri…
Po, jam në gjendje të mirë. Natyrisht kur është fjala për të sakrifikuar ndopak, sikundër ishte në ndeshjen e fundit me Parmën, atëherë nuk di të tërhiqem prapa. Pastaj, duke parë sesi shkoi ajo ndeshje, jam i lumtur që luajta, pasi ia vlejti mundimi.
Po tani si jeni fizikisht?
Më mirë. Le të themi që ato problemet e vogla që kam pasur, janë thjesht një kujtim i largët. Gjatë kësaj jave besoj se do të rikuperohem plotësisht dhe do të jem 100 për qind i gatshëm për ndeshjen me Atalantën.
Në fakt, skuadra do të ketë shumë nevojë për ju nisur nga mungesat…
Po, e di. Na pret një tjetër ndeshje shumë e vështirë, por kjo është Seria A: nuk mund të shpërqendrohesh për asnjë çast. Duke qenë se bëmë të pamundurën për të ardhur deri këtu, tani na duhet që ta ruajmë këtë pozicion.
Tek Empoli ka probleme nga krahët e mbrojtjes, pasi në dispozicion të trajnerit jeni vetëm ju…
Të shikojmë. Deri ditën e ndeshjes janë edhe disa ditë, ndaj të shpresojmë që do të rikuperohet Mario Rui dhe Laurini, dy lojtarë shumë të mirë të skuadrës sonë.
Në të kundërt do të duhet që ju të luani sa në të djathë dhe në të majtë apo jo?
Posi jo, do të ndahem më dysh dhe do luaj si në të majtë dhe në të djathtë! Përtej batutave, duhet që të punojmë shumë dhe natyrisht me shpresën që do të rikuperohen edhe lojtarët e tjerë. Për të arritur objektivin sezonal, nevojitet gjithë grupi.
Me atë çka keni dhënë gjatë kësaj kohe, keni rënë në sy edhe të klubeve të mëdha…
A, pse kështu është? Ndoshta, por nuk besoj se është momenti që të mendoj për merkaton. Tani na duhet të mendojmë të grumbullojmë sa më shumë pikë në kampionat.
Dakord, por zërat në merkato ju çojnë drejt Juventusit…
E kam lexuar edhe unë këtë gjë dhe nuk kam turp ta them që më futën të dridhurat. Por e ritheksoj se, për momentin, synimi është Empoli dhe mbijetesa në Serinë A, qoftë edhe me ndonjë sakrificë të vogël.