e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Al Jazeera profil Begajt: Kampione bote qe jeton ne shtepi me qira, e pa kushte stervitore

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Al Jazeera profil Begajt: Kampione bote qe jeton ne shtepi me qira, e pa kushte stervitore

Media arabe Al Jazeera ka realizuar një profil të kampiones së botës në peshëngritje, Romela Begajt. Krenaria e Shqipërisë ka dhënë një intervistë për kushtet e këqija në të cilën stërvitet dhe ofertat që i janë bërë nga vende të ndryshme, për t’i përfaqësuar në Kazakistan, por ajo nuk është tunduar.

“Romela Begaj shkroi historinë dhe u bë femra e parë shqiptare që fiton medaljen e artë për peshëngritjen shqiptare në Botëror dhe filloi të qante kur realizoi arritjen e saj. Duke jetuar në shtëpi me qira, pa të ardhura për të plotësuar stërvitjen dhe ushqimin e saj, 28-vjeçarja fitoi një nga trofetë më të rëndësishëm për vendin e saj”, – fillonte shkrimi që Al Jazeera, i ka kushtuar Remal Begajt. Gjatë intervistës kampionia flet edhe për atdhetarizmin.

“Emocionet që përjetova janë të mrekullueshme dhe të pashpjegueshme. Ishte një luftë kundër kampionëve të botës apo medalistëve në Olimpiadë, por ja dola”, – tregon Romela, që vazhdon më tej. “Kam pasur oferta për të përfaqësuar vende të tjera dhe disa herë u tundova prej mungesës së kushteve në Shqipëri. Por për mua ka qenë gjithmonë një kënaqësi dhe nder të ngre flamurin shqiptar. Kjo është gjëja më e rëndësishme, të ngresh lart emrin e shqiptarëve, edhe pse për këtë duhet të luftosh me gjithë botën dhe të dalësh e para”.

Begaj i tregoi Al Jazeeras dhe jetën e vështirë të saj, më vështirësitë me të cilat duhej të përballej. “Kur isha e vogël, performoja me cirkun e Tiranës, gjimnastikë, trampolinë dhe disiplina të tjera të cirkut. Për shkak të problemeve financiare, babi emigroi në Greqi për të siguruar të ardhura. Unë isha një vajzë me ego të fortë dhe doja të jetoja një jetë të respektuar pa ndihmën e familjes. Duke ardhur nga një familje e varfër dhe duke parë vuajtjet e tyre, mendova që do t’ia u shpërbleja përpjekjet me punën time. Në 2005, kur isha 18 vjeç, fillova të merresha me peshëngritje, dhe vetëm 3 muaj më pas fitova medalje të bronztë në lojërat mesdhetare.

Në lojërat Olimpike të Pekinit mora pjesë dhe dola e gjashta, por vetëm dy javë më parë, babai im kishte ndërruar jetë. Ishte një moment shumë i vështirë për mua”, – përfundon Begaj, pa treguar shumë për problemet e së tashmes, edhe pse ato dihen tani. Al Jazeera në artikullin e saj nuk ka lënë pa përmendur as fjalët e ministres së Arsimit dhe Sportit, Lindida Nikolla, e cila ka thënë se do të mbështesë kampionen e Botës dhe sportin.