Holanda zbut Luanët në Uembli
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Tulipanët" e Deni Blindit përmbysin Anglinë në "Uembli" duke larguar euforinë nga "Luanët" pas triumfit me Gjermaninë.
Hoxhson ka vendosur t'i shpallë 23 emrat që do të grumbullojë në Francë përpara miqësoreve të radhës, por shumë pak nga emrat e rrotacionit të mbrëmshëm shkëlqyen ashtu siç bënë kolegët e tyre në Berlin të shtunën. Pas një pjese të parë që u shënuan në atmosferën e homazheve për Krujfin, Vardi zhbllokoi rezultatin me një aksion spektakolar të "Tre Luanëve".
Por Holanda, e cila kishte humbur 5 nga 8 miqësoret e fundit, u përmirësua pas intervalit dhe barazoi me Vinsent Jansen nga pika e bardhë, pasi topi u ndal në dorën e Deni Rouzit në zonë. Anglia e kërkoi dëshpërimisht golin e fitores, duke aktivizuar edhe Kejnin dhe Uollkot, por u goditën sërish nga Narsing kur Jansen i vodhi një top Xhagielkës me një faull të pastër, por që vetëm arbitri nuk e pa.
Hoxhson bëri 8 ndryshime nga formacioni titullar që mundi Gjermaninë, ndërsa Holanda që u mund nga Franca të premten 2-3, bëri vetëm 5 ndryshime. Ndeshja nis me ritëm të lartë: Rouz është me fat që nuk shkakton një penallti pas rrëshqitjes që pengoi Veltmanin, përpara se Depaj të nisë një goditje fluturimthi, por që përfundon mbi traversë.
"Uembli" ngrihet në këmbë për të respektuar Krujfin në minutën e 14- të (u nda nga jeta javën e shkuar) përpara se Afelai të testojë seriozisht Forsterin. Portieri ishullor i mohon golin edhe Vijnaldumit. 5 minuta nga fundi i pjesës së parë, Lalana nxjerr në pozicion fantastik Uokerin në krah të djathtë dhe ai me një pasim të thjeshtë fton Vardinë vetëm ta shtyjë topin në rrjetë. Anglia e nis vrullshëm pjesën e dytë, por prekja e topit me dorë nga Rouz (krosim i Narsing) e kthen përfundimisht ndeshjen në favor të "tulipanëve".
Jansen dërgon në krahun e gabuar Forsterin nga 11 metrat. Anglia reagon me një gjuajtje të Vardisë, por Zoet i thotë jo. Blind bllokon një goditje të Uollkotit, ndërsa në 14 minutat e fundit Jansen pengon në mënyrë të parregullt Xhagielkën dhe gjen Narsingun e pamarkuar, i cili nuk gabon duke i shkaktuar humbjen e parë në shtëpi Anglisë që prej nëntorit 2013. Holanda është ekipi i dytë që fiton dy herë në "Uembli"-n e rikonstruktuar. Ata kanë 20 vjet që nuk munden nga "Luanët".
Përgatiti: ANDROKLI DRALO