e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Holanda e klaneve kerkon mrekulline

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Holanda e klaneve kerkon mrekulline
Holanda ishte favoritja kryesore për fitimin e Evropianit 2012, por ndërkohë deri tani i ka shkaktuar dhimbje vetes dhe tifozerisë së saj. Në dy ndeshjet e para kundër Danimarkës dhe Gjermanisë është mundur, por pavarësisht kësaj ka ende shpresë që të mund të avancojë në çerekfinalet e Euro 2012.

Thjesht për faktin që ajo mund të vazhdojë të besojë te ky kualifikim, sepse në historinë e këtyre kompeticioneve asnjë kombëtare nuk ka mbetur në lojë pasi ka humbur dy takimet e para. Por edhe pse e kanë një shans të tillë, kundër Portugalisë, Holandës i duhet një mrekulli e vërtetë, sepse “tulipanët” nuk duhet të mundin vetëm Ronaldon me shokë, por edhe të thyejnë tabutë e historisë. Portokallinjtë kanë arritur të fitojnë vetëm një herë kundër tyre në 10 takime, por sot nëse duan të shpresojnë, duhet të fitojnë me të paktën dy gola diferencë.

Uesli Shnajder dhe Arjen Roben, të cilët kanë debutuar pikërisht përballë iberikasve në karrierë në një barazim 1-1 në Eindhove (30 prill 2003) duhet të bëjnë ndeshjen e tyre perfekte, jo vetëm për një sukses të shumëpritur, por edhe për të shuar zërat se grupi i Van Marvijk është ndarë në klane. Nga njëra anë qëndrojnë lojtarët e formacionit titullar, ndërsa nga tjetra ata pankinar, me në krye dy të irrituarit Van der Vart dhe Huntelar. Gjithsesi, këta të fundit priten titullarë sot dhe mbase kjo ndeshje, që mund të jetë e fundit e Evropianit, do të bashkojë edhe njëherë të gjithë grupin e futbollistëve.

Van Marvijk beson - Deri tani Holanda e tij ka zhgënjyer tërësisht në Euro 2012, por pavarësisht dy humbjeve kundër Danimarkës dhe Gjermanisë, trajneri Bert Van Marvijk kërkon të besojë te kualifikimi, edhe pse kundër ka jo vetëm humorin e lojtarëve, por edhe historinë. “Të humbësh kundër Gjermanisë nuk mendoj se është një skandal i madh, por disfata e dhimbshme ishte ajo kundër Danimarkës, në të cilën ndërtuam 15 raste për gol dhe nuk shënuam asnjë.

Nëse do kishim marrë tri pikë në takimin e parë, tani gjërat do ishin shumë më ndryshe dhe ne nuk do ishim kaq nën presion përpara Portugalisë. Ku çalon skuadra? Në fushë zbresim me frikë, mbrojtësit nuk kanë guxim të lënë rolet e tyre kur ne sulmojmë dhe kjo ka krijuar një hendek, një hapësirë mes dy reparteve, e cila po na kushtëzon paraqitjen tonë të dobët.

Nuk mund ta fsheh faktin që jemi shumë nervozë, sepse sikur të mos mjaftonte që na duhet të fitojmë me çdo kusht, kundër Portugalisë kemi edhe një histori të tërë kundra nesh. Nuk besoj se edhe ata mund t’ia lejojnë vetes të humbin. Në të gjitha përballjet tona nuk i kemi shënuar më shumë se një gol, por këtë herë duhet të thyejmë këto tabu dhe të gjejmë dy golat e avantazhit që na nevojiten, sepse kam bindjen se Gjermania do fitojë me Danimarkën. Formacioni? Ndryshime do ketë, por më shumë sesa forma fizike e lojtarëve shpresoj që ata të jenë mirë psikologjikisht”, – u shpreh trajneri.