e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Heroi 'Leva': Ishte si nje enderr

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Heroi 'Leva': Ishte si nje enderr
Robert Levandovski është pa diskutim “mbreti” i fitores së Dortmundit kundër Realit, me katër golat e shënuar. Në fakt, ai ka shkruar emrin e tij në listën e rekordeve; i pari futbollist që realizon “poker” në një ndeshje gjysmëfinale dhe i pari që arrin t’i shënojë më shumë se tre gola Realit të Madridit në një ndeshje të Champions- it përgjatë gjithë historisë. Në fakt, statistikat e polakut janë mbresëlënëse, sepse në kompeticionin europian e ka gjetur rrugën e rrjetës 10 herë nga 18 gjuajtje që ka bërë gjithsej në kuadrat.

Fitore mbresëlënëse dhe katër gola. E prisnit?

Sigurisht që e prisja të fitonim, pasi ishim përgatitur shumë mirë për këtë ndeshje. Por, që të shënoja katër gola as që e kisha ëndërruar. E pabesueshme! Jam me të vërtetë shumë i lumtur. Gjithsesi, për mua nuk ka shumë rëndësi sasia e golave që shënova, sesa fakti që arritëm një rezultat vërtet pozitiv.

Cili është sekreti i dominimit të Dortmundit ndaj Realit?

Ne luajtëm me zemër dhe nuk e ulëm ritmin për asnjë moment. Mendoj se gjithçka shkoi siç e kishim planifikuar, duke bllokuar aksionet e kundërshtarit nëpërmjet presingut dhe duke kundërsulmuar me shpejtësi.

A ishte kjo fitore një “shuplakë” për të gjithë ata që nuk besuan te Borusia?

Në fakt, ishte normale që Reali të cilësohej si favorit për t’u kualifikuar në finale. Janë një klub i madh dhe me eksperiencë. Për këtë arsye, shumë pak besonim se do arrinim deri në gjysmëfinale dhe aq më tepër të eliminonim edhe madrilenët.

Mendoni se tashmë e keni siguruar kualifikimin për në finale?

Absolutisht jo. Kemi përballë Realin e Madridit dhe do ishte çmenduri që t’i nënvlerësoje. Ndeshjen e kthimit e luajmë në transfertë dhe mendoj se do e kemi akoma më të vështirë. Do na duhet që të ruajmë avantazhin e krijuar dhe të bëjmë një punë të madhe në fushë.

Emri juaj është përfolur për një transferim te Bajerni. Sa e vërtetë është kjo?

Nuk kam kohë dhe dëshirë të flas apo të mendoj për të ardhmen time. Objektivi kryesor që kam për momentin është të siguroj finalen e Ligës së Kampioneve me Dortmundin. Ka kohë për të menduar mbi të ardhmen time. Në media mund të thuhet çdo gjë, por kjo nuk nënkupton se është e vërtetë, apo se ka rëndësi për momentin. Çdo gjë duhet bërë në kohën e vet