e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Levandovski shkaterron Realin e Madridit me kater gola

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Levandovski shkaterron Realin e Madridit me kater gola
Gjermani-Spanjë 8-1. Ky është produkti i gjysmëfilaneve të para të Ligës së Kampioneve. Si me porosi, Bajerni i Mynihut dhe Borusia e Dortmundit realizojnë nga katër gola secili në portat e kundërshtarëve iberikë, duke u dhënë leksione futbolli, në cdo drejtim.

Pa kaluar 24 orë nga jehona e asaj fitoreje të bujshme të Bajernit të Mynihut ndaj Barcelonës, në Gjermani ka ndodhur një tjetër mrekulli, që ka lidhje sërish me futbollin e këtij vendi. Nuk mund të flitet më për rastësi, por për një dominim të qartë të futbollit gjerman në rang klubesh mbi atë spanjoll. Fati e solli që në gjysmëfinalet e Ligës së Kampioneve të kishim dy ballafaqime gjermano-spanjolle, në “aktin e parë” të të cilave janë tejkaluar cdolloj pritshmërie. Bavarezët dhe Dortmundi kanë arritur të shënojnë jo pak, por nga katër gola në portat e gjigandëve të La Liga, respektivisht ndaj Barcelonës dhe Realit të Madridit.

Duke përvijuar në horizont, kësisoji, një finale gjermane në “Uembli”. Në ndryshim nga katalanasit, “Los Blancos” kanë arritur të realizojnë të ashtuquajturin gol të nderit në “Signal Iduna Park”, falë një gafe amatoreske të mbrojtësit vendës Mats Humels, që i dhuron topin kundërshtarit në zonën e vet dhe Ronaldo nuk e ka fare të vështirë të konkludojë golin e 11-të personal në këtë edicion të Champions-it. Por ky moment nuk është asgjë para uraganit të Borusias së Dortmundit, para një nate të paharrueshme në tërë jetën e vet të sulmuesit polak Robert Levandovski, i cili ka shënuar katër gola.

Gjithcka ka ardhur si rrjedhojë e lojës së zhvilluar në fushën e lojës, ku të besuarit e Jurgen Klop janë zotër të gjithckaje, ushtrojnë presing asfiksues për madrilenët në cdo cep të fushës, ndërsa e qarkullojnë topin në stilin alla-Barcelona. Borusia i jep kësisoji një mësim tjetër se si luhet futbolli sulmues dhe rezultativ Realit të Madridit, pasi e kishte mundur atë edhe në fazën e grupeve, me rezultatin 2-1. Tashmë disfata për skuadrën e Mourinjos është e madhe, aq sa përmbysja duket thuajse një mision i pamundur. Megjithatë, për kualifikimin mund të flitet vetëm pas gjysmëfinales së kthimit, që do të luhet të martën e javës së ardhshme në “Bernabeu”.

Teoricienët e vetëshpallur mbretër të futbollit, përfshirë këtu edhe Mourinjon, morën një grusht të fortë nga Borusia e Dortmundit. Të gjithë menduan se skuadra e Klopit do të zhbalancohej nga lajmi se Mario Gëtze do të transferohet te rivalët e Bajernit të Mynihut, por ishte Robert Levandovski, qendërsulmuesi polak, ai që u vu në qendër të gjithckaje me pokerin e golave dhe e cliroi skuadrën nga ngarkesat psikologjike të cfarëdolloji. Intensiteti dhe ritmi i lojës së Dortmundit na kujtoi shumë shpejt atë që bëri Bajerni ndaj katalanasve në “Allianz Arena”.

Goli i parë u shënua në minutën e 7-të, kur Levandovski u zhyt me këmbë dhe e dërgoi pasimin e zgjuar të Gëtzes në portën madrilene. Gëzimi dukej se ishte duke u shtuar për vendësit, pas një veprimi të Rojs në zonën e Realit të Madridit, ku u pengua nga mbrojtësit miq, por arbitri Kuipers nuk vërshëlleu për penallti. Pastaj doli në skenë i zakonshmi për Realin e Madridit, Kristiano Ronaldo. Ishte minuta e 42-të, kur portugezi mori një pasim nga Higuain, me argjentinasin e asistuar në mënyrë të pafalshme nga Humels, dhe barazoi shifrat në 1-1. Me këtë barazim dhe një atmosferë të ftohtë në “Signal Iduna Park” shkuan skuadrat në dhomat e zhveshjes.

Madje u duk se Reali i Madridit mund ta ndryshonte ritmin e lojës në 45 minutat e dyta. Por, ndodhi ajo që rrallëkush mund ta kishte menduar: Tri herë të tjera shënoi Levandovski, respektivisht në minutat e 50-të, 55-të dhe 66-të. Në njërën prej tyre nga pika e bardhë e penalltisë. Ekipi gjerman i dha një mësim të futbollit sulmues dhe rezultativ Mourinjos, që edhe pse e kishte orientuar skuadrën e vet në detyra difensive nuk shmangu dot pokerin e polakut Levandovski dhe një humbje që dhemb shumë, që vë seriozisht në pikëpyetje kualifikimin në finalen dhe…titullin e dhjetë në Ligën e Kampioneve.