Hasi: S'kam folur me Januzaj per Shqiperi
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Besnik Hasi hedh dritë mbi çështjen e shumëpërfolur për talentin e Mançester Junajtid, Adnan Januzaj. Në një intervistë për “Supersport”, ish-kapiteni i Kombëtares shqiptare, aktualisht zëvendëstrajner i Anderlehtit në Belgjikë, ka sqaruar se Januzaj duhet lënë i qetë, që ta zgjedhë vetë ai të ardhmen. Kujtojmë se Hasi është një njohës i mirë i talentit të Mançester Junajtid, duke qenë se ky i fundit ka dalë pikërisht nga akademia e Anderlehtit, ku Hasi punon prej më shumë se 15 vitesh, si lojtar dhe më pas në stafin teknik.
“Unë e kam njohur që të vogël, kur luante tek Anderlehti dhe shihej qartë se ishte një talent. Më pas kaloi te Mançesteri dhe arriti që në një kohë të shkurtër të zinte vend edhe në ekipin e parë. Unë personalisht nuk kam folur as me atë dhe as me babanë e tij, që nga momenti kur Januzaj iku nga Anderlehti. Këtu në Belgjikë çmenden për të dhe me të drejtë, por me sa di unë ai nuk e ka zgjedhur akoma kombëtaren me të cilën duhet të luajë. A duhet të luajë për Kosovën apo Shqipërinë? Nuk di se çfarë të them, pasi kjo do të jetë një zgjedhje që do ta bëjë vetë lojtari dhe babai i tij, i cili ndikon shumë te Januzaj. Unë mendoj që ai duhet të lihet i qetë në zgjedhjen që do të bëjë”, – ka thënë Hasi. Më tej ai ka folur edhe për Kombëtaren shqiptare, duke pohuar se skuadra që drejton aktualisht De Biazi ka një shans më shumë për t’u kualifikuar në Europianin e 2016-ës. “Me ndryshimin e formatit të Europianit mendoj se edhe vende si Shqipëria kanë shanse kualifikimi.
Mos harroni se kalojnë dy skuadrat e para të grupit dhe e treta shkon në barazh, çka është një shtysë më shumë për Kombëtaren. Unë mendoj se ne kemi një skuadër të mirë dhe me afrimet e bëra mund të arrijmë në një të ardhme të afërt që të kualifikohemi”. I pyetur në lidhje me faktin që tek Anderlehti nuk luan asnjë shqiptar, ndryshe nga sa ndodh te Lacio ku punon Igli Tare, ai u përgjigj: “Unë dhe Tare jemi në kushte të tjera.
Së pari, klubet belge kanë më pak të ardhura sesa ato italiane dhe së dyti, Tare është në një pozicion krejt tjetër nga unë, pasi është drejtor sportiv dhe bën politikat e klubit. Gjithsesi, ka pasur lojtarë shqiptarë që na kanë interesuar, pavarësisht se nuk i kemi marrë dot”, – ka vijuar Hasi. Në fund, ish-kapiteni kuqezi ka folur edhe për të ardhmen e tij si trajner.
“Unë e pata një mundësi në fund të vitit të shkuar për të drejtuar Meshelenin, por presidenti i Anderlehtit ndërhyri, ashtu sikundër bëri në momentin kur më kërkoi Federata Shqiptare, duke mos më lejuar. Ai mendon se e ardhmja ime është këtu dhe në një të ardhme të afërt mund të marrë i vetëm drejtimin”, – ka përfunduar Hasi.