Besart Berisha dhe Gashi, golat e fundjaves
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Besart Berisha vazhdon të jetë protagonist në ecurinë e shkëlqyer të Brisbein në kampionatin australian të futbollit. Sulmuesi shqiptar, ndonëse ka bërë të qartë se ka firmosur me Melburn Viktori dhe do të largohet në qershor nga skuadra aktuale, nuk e ka ulur ritmin, por vazhdon të dhurojë gola që po shtyjnë ekipin e tij drejt titullit Kampion. Dje, Berisha ka qenë protagonisti absolut i fitores 2-1 të ekipit të tij ndaj Mariners, pasi realizoi golin e fitores në minutën e 90 të sfidës. Duke luajtur për herë të parë përballë tifozëve të Brisbein që nga momenti kur lajmëroi se do të largohej në fund të sezonit, Berisha duket se ndjeu emocione gjatë sfidës, duke humbur shumë raste që zakonisht nuk i gabon. Por në minutën e fundit ai tregoi të gjitha aftësitë e tij duke dërguar topin në rrjetë për ti dhënë Brisbein tri pikët e radhës, ndërsa i gjithë stadiumi u ngrit në këmbë për të përshëndetur sulmuesin shqiptar. Me 7 gola në 9 ndeshje të luajtura në këtë sezon, Berisha vazhdon të jetë një nga sulmuesit më të suksesshëm në Australi, arsye pse Melburn i ka ofruar një kontratë sa dyfishi i asaj që përfiton aktualisht te Brisbein, rreth 1.5 milionë dollarë në dy vite.
Një tjetër lojtar që po kalon një formë të mirë është Shkëlzen Gashi, i cili është kthyer në një element të domosdoshëm për Grasshopers në Zvicër. Mesfushori i përfaqësueses shqiptare, ndonëse me fanellën kuqezi nuk ka arritur ende të shprehë vlerat e tij, me klubin vazhdon të tregojë një lojë të shkëlqyer e për më tepër të shënojë gola. Kështu ka ndodhur edhe dje, kur Grasshopers ka fituar me rezultatin 3-1 përballë Luzernës dhe mesfushori shqiptar shënoi golin e parë për ekipin e tij, që u ngjit në vendin e dytë në klasifikim. Në radhët e Grasshopers, dje u aktivizua edhe Amir Abrashi, ndërsa te Luzerna, titullar ishte mesfushori tjetër shqiptar, Jahmir Hyka.
Ndërkohë, në Serinë A, vazhdon të jetë gjithnjë e më shumë protagonist portieri Etrit Berisha, i cili mbetet titullar i paprekshëm te Lacio. Gardiani shqiptar u preferua përsëri dje përballë Marketit, i lënë në stol nga trajneri Reja. Ai u shfaq i saktë në ato pak raste që u krijuan para portës së tij nga kundërshtarët gjatë fitores 2-0 të Lacios ndaj Kievos, skuadër që kishte kërkuar shërbimet e tij gjatë verës.
Statistika
Besart Berisha ka shënuar 42 gola në 66 ndeshje me fanellën e Brisbein