Hasanbelliu pret 3 pikë: Teuta ime, për Europë
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Për presidentin Edmond Hasanbelliu, sot Teuta luan për tri pikë kundër Partizanit të vendit të dytë. 
Në një prononcim ekskluziv për "Panorama Sport", kreu i klubit durrsak foli për ndeshjen e sotme, objektivat, pritshmëritë pas merkatos, si dhe luftën për titull dhe Europë.
"Luajmë një ndeshje të vështirë në shtëpi kundër Partizanit, por ekipi nuk shikon cilin rival ka përballë. Me këtë dua të them se si ndaj Tërbunit, ashtu edhe ndaj Partizanit, trepikëshi është i njëjtë. Skuadra është përgatitur mirë për këtë sfidë dhe pres një paraqitje dinjitoze. Synojmë të marrim maksimumin nga ky takim, për të vijuar të qetë garën. Të them të drejtën, kur e nisëm në fillim kampionatin, e krijuam ekipin që minimalisht të mbijetonte mes më të mirave të Superiores. Mirëpo, fakti që kishim një ecuri pozitive dhe tani jemi pretendentë për vendin e tretë, që do të thotë pjesëmarrje në Kupat e Europës, atëherë objektivat ndryshojnë. Pra, i kemi mundësitë për të qenë pjesë e Kupave të Europës", deklaroi fillimisht Hasanbelliu.
Ndërsa i pyetur se mes Partizanit dhe Skënderbeut, cilën skuadër shikon më të fortë, ai shtoi:
"Janë shumë ndeshje deri në fund dhe diferenca nuk është shumë e madhe, madje do të thosha që është shumë pak. Megjithatë, mua nuk më intereson se kush e fiton titullin".
Stafi dhe lojtarët
"Jam i kënaqur me lojtarët dhe me stafin për atë çfarë kanë bërë deri më tani, por megjithatë prisja më shumë nga afrimi i janarit, sulmuesi Xhonatan. E afruam që të ishte sulmues vendimtar, por deri më tani nuk e ka justifikuar atë për çfarë u ble nga ne. Ndërsa pjesa tjetër e ekipit më ka bindur, edhe pse ka vend gjithmonëpër përmirësime. Do të shtoja që dhe akademia po funksionon shumë mirë, pasi janë disa lojtarë që i grumbullojmë me ekipin e parë, si Gripshi, Hyka apo Mara. Promovimi dhe rritja e talenteve është pjesë e planeve dhe projekteve të klubit e kjo po funksionon siç duhet", u shpreh kreu i klubit.
Rivalët për Europë
"Për sa u përket rivalëve tanë, do të thosha që nuk shikoj se çfarë bën Kukësi apo Tirana. E rëndësishme është që ne te fitojmë sfidat tona dhe në këtë rast, ndeshjen me Partizanin. Nëse fiton apo humbet Kukësi me Tiranën, nuk janë problemet tona, ne duhet të fokusohemi tek ajo çfarë duhet të bëjmë vetë në fushë dhe jo çfarë rezultati marrin kundërshtarët. Teuta është këtu, pasi ka parë vetëm ndeshjet e veta dhe atë që ka për të luajtur, dhe jo kalendarin apo dhe kundërshtarët. Duhet që të tregojmë shpirt gare dhe vullnet, siç kemi bërë në ndeshjet e tjera, dhe rezultati do të vijë. Kampionati nuk ka më ndeshje të lehta. Lojtarë duhet të futen në fushë për maksimumin, çdo ndeshje kërkon përqendrim maksimal", ka thënë presidenti Hasanbelliu.
Përgatiti: Jeton Rexhmati