Hasanbelliu: Në Korçë luajmë për pikë, do të jetë ndeshje e bukur
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Presidenti i Teutës, Edmond Hasanbelliu, në një prononcim për "Panorama Sport" është shprehur se skuadra e tij do të luajë për fitore në ndeshjen ndaj Skënderbeut.
"E respektojmë ekipin kundërshtar, por ne kemi objektivat tona dhe do të shkojmë për të marrë fitoren në Korçë, po natyrisht edhe për të shfaqur një lojë të bukur. Gjendja e futbollistëve është mjaft e mirë dhe të gjithë janë të karikuar. Skuadra ka ambicie të mëdha dhe besoj se do të zhvillohet një ndeshje e bukur", ka thënë kreu i klubit durrsak.
Magani - Teuta ka mbyllur dje përgatitjet për ndeshjen që do të luajë në transfertë ndaj Skënderbeut. Menjëherë pas mbylljes së procesit stërvitor, skuadra dhe stafi teknik janë nisur drejt Pogradecit ku edhe janë grumbulluar në prag të takimit.
Gjatë stërvitjes, trajneri Magani ka punuar në aspektin tekniko-taktik duke ideuar edhe vendosjen e lojtarëve në fushë. Ai gjithashtu u ka kërkuar futbollistëve që të jenë të kujdesshëm të luajnë në grup, pasi vetëm kështu do të kenë mundësi për të qenë të suksesshëm në këtë përballje.
Për këtë ndeshje në dyshim është aktivizimi i serbit Lukiç, i cili është vendlindje, por trajneri shpreson që ai të kthehet në kohë dhe të bashkohet me ekipin. Në një prononcim për "Panorama Sport", një ditë para ndeshjes, trajneri Magani është shprehur:
"Kemi rikthime lojtarësh që na kanë munguar për shkak kartonësh dhe dëmtimesh dhe kjo e bën më të lehtë ndërtimin e formacionit. Jemi në mëdyshje për serbin Lukiç që është larguar drejt Serbisë, pasi ka një problem familjar, por ne presim që të kthehet sepse ai vetë na ka thënë se do të jetë gati për këtë ndeshje", është shprehur trajneri, të cilin nuk e tremb aspak mbështetja e tifozerisë që do të kenë vendasit.
"Fusha, stadiumi dhe tifozeria korçare e bëjnë më të bukur takimin. Luajmë kundër ekipit më të mirë në Superiore dhe këtë e them me bindje. Megjithatë ne atje do të shkojmë për një rezultat pozitiv, si në çdo përballje. Skuadra është në formë të mirë dhe duhet vetëm të tregojmë futboll të bukur dhe të dimë të marrim rezultat.
Jemi një ekip që luajmë hapur, pra sulmojmë në grup dhe mbrojmë në mënyrë të tillë", tha trajneri i durrsakëve, që shpalosi edhe objektivin për pjesëmarrjen e ekipit në Kupat e Europës. "Jemi në vendin e tretë, kemi mundë- si që të sigurojmë pjesëmarrjen në Kupat e Europës. Uroj që djemtë të bëjnë një lojë të bukur", ka përfunduar Magani.