Hamdi Salihi, ne prove te Nante
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Hamdi Salihi ka shansin e artë për t’u kthyer si protagonist në futbollin e rëndësishëm evropian. Sulmuesi, i cili ka kaluar dy vitet e fundit në kampionate jo shumë të ndjekura, si ai amerikan dhe ai kinez, ka siguruar një provë te skuadra e Nantës në kampionatin francez. Nëse arrin të bindë stafin teknik, do t’i bashkohet këtij ekipi menjëherë për të vazhduar me të luftën për të siguruar pjesëmarrjen në Kupat e Europës në sezonin e ardhshëm.
Lajmi është publikuar dje nga portali francez “20minutes.fr”, i cili ka bërë të ditur se nga e marta, Salihi do të jetë në dispozicion të trajnerit Mishel Der Zakarian. Nantë, skuadër që renditet në vendin e 6-të në kampionatin francez, po kërkon një sulmues, sipas fjalëve të presidentit të kësaj skuadre, Valdemar Kita, i cili kishte deklaruar se do të kërkonte të afronte një golashënues gjatë merkatos së janarit. Për më tepër, largimi drejt Lacios i Filip Gjorgjeviç në verë e ka bërë të nevojshëm afrimin e një apo dy lojtarëve në repartin e avancuar. Nëse gjithçka shkon mirë, Salihi, i cili në artikullin e portalit francez përshkruhet si një “udhëtues i botës”, mund të ketë shansin e karrierës së tij për të shkëlqyer në skenën e një kampionati të rëndësishëm edhe pse vetëm në moshën 30 vjeçare. “Nder i vogël ndaj një menaxheri apo një testim serioz? Gjithçka do ta mësojmë gjatë javës”, shkruhet në portalin francez i cili ka kërkuar edhe opinionin e Edvin Muratit rreth këtij transferimi të mundshëm. Ky i fundit, një emër i njohur në Francë për shkak të të kaluarës së tij me skuadra si PSG dhe Lilë, ka folur mjaft pozitivisht për bashkëkombësin e tij.
“Është një golashënues i vërtetë, i rreptë, i fortë në lojën në ajër, një sulmues i mirëfilltë hapësirash”, ishte përshkrimi që Murati bëri për sulmuesin, i cili duket se testin francez ka arritur ta sigurojë falë ndërmjetësimit të Sokol Muratit, vëllait të ish-mesfushorit të kombëtares. “Të gjithë kemi ende në mendje golin e shkëlqyer që shënoi kundër Norvegjisë në mars 2013 në kualifikueset e Botërorit”.
Mediat franceze vënë në dyshim nëse Salihi do të arrijë të bindë drejtuesit e klubit francez se është i aftë të paraqitet në nivelin që kërkon kampionati francez. Por Murati është i sigurt se sulmuesi shqiptar do të dijë të tregojë veten në këtë eksperiencë të re, pavarësisht dy viteve të fundit jo shumë të shkëlqyera. “Ai mund t’i shërbejë Nantës. Kur shoh kampionatin francez, mendoj se ai ka kapacitetin për të lënë shenjë në këtë nivel. Pse nuk ka arritur më parë të shkëlqejë në një kampionat më të njohur në karrierën e tij? Është e vështirë, pasi shpesh mendohet se shqiptarët nuk dinë të luajnë futboll”, pohoi Murati. “Pastaj në karrierë duhet edhe pak fat”.
Transferimi i Salihit në Francë mund të lehtësohet nga fakti se ai është një futbollist i lirë, pasi ka ndërprerë marrëdhëniet kontraktuale me Jiangsu Sainti në Kinë. Problemet me pagesat e tij ka bërë që palët të ndahen në mirëkuptim me mbylljen e sezonit të kaluar në vendin aziatik, ndërsa Salihi ka marrë rrugën për t’u kthyer në Europë. Futbollisti mendohej se do të shkonte në kampionatin polak apo hungarez, ku kishte marrë disa oferta. Por tashmë ka dalë në skenë kjo mundësi e artë që i ofron Nantë, për atë që mund të jetë kontrata më e rëndësishme e karrierës së sulmuesit shkodran.
Austria
Në mediat franceze komentohet se periudha e artë e sulmuesit shqiptar kanë qenë vitet e tij në Austri, ku ishte një nga golashënuesit më të mirë të kampionatit me Ried dhe Rapidin e Vjenës