e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Edi Rama nga Elbasani: Do ta transformoje kete stadium

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Edi Rama nga Elbasani: Do ta transformoje kete stadium

Më në fund edhe qeveria shqiptare ka konfirmuar me zë dhe figurë rikonstruksionin e stadiumit “Ruzhdi Bizhuta” në Elbasan. Kjo ka ardhur nga kryeministri i vendit, Edi Rama, i cili dje pas një vizite në Elbasan është ndalur edhe në stadiumin e këtij qyteti. “Qeveria do të rindërtojë stadiumin e Elbasanit. Këtu do të luhen ndeshjet e skuadrës sonë kombëtare deri kur të ndërtohet edhe stadiumi i Tiranës. Ne si qeveri do të marrim përsipër, në bashkëpunim me federatën, ta transformojë këtë stadium ashtu siç duhet”, – theksoi Rama. Përfshirja e qeverisë në rikonstruksionin e këtij stadiumi erdhi më së pari pas ultimatumit të dhënë nga UEFA në fund të vitit të shkuar dhe pas dy takimeve të presidentit të FSHF-së me kryeministrin Rama.

Mes federatës dhe qeverisë shqiptare është rënë dakord që të investohet një shumë prej 1.3 milionë eurosh, nga të cilat 300 mijë euro do të harxhohen nga ana e FSHF-së, ndërsa pjesa tjetër, pra rreth 1 milion euro do të dalin nga buxheti i shtetit. Duhet thënë se kjo është hera e parë në këto vite të fundit që qeveria shqiptare akordon një shumë kaq të madhe për rikonstruksionin e një stadiumi. Të gjitha investimet parciale gjatë këtyre viteve janë bërë nga federata nëpërmjet projektit “hart-trick” të financuar nga UEFA. Në “Ruzhdi Bizhuta” mund të luhen aktualisht vetëm ndeshje të kombëtareve të moshave, por për kombëtaren e madhe dhe klubet në Kupat e Europës duhet me patjetër të ndërhyhet në rikonstruksion të ambienteve të brendshme, në zonën VIP, atë të gazetarëve dhe me një rrethim sigurie. Puna pritet të nisë që në shkurt, duke qenë se afati i fundit i dhënë nga UEFA është 23 shkurti, ditë kur do të hidhet edhe shorti për kualifikimet e Europianit të 2016- ës. Shqipëria nuk ka për momentin asnjë stadium të përshtatshëm për Kombëtaren shqiptare dhe ndeshjet në Kupat e Europës, nga turet e dyta e më lart. Në këtë këndvështrim, rikonstruksioni i të paktën një impianti, deri në ndërtimin e stadiumit të ri, është një çështje imediate, ndaj edhe është kërkuar me ngulm si nga Federata Shqiptare e Futbollit dhe nga UEFA.

Çfarë tha Armand Duka për stadiumin


Në një intervistë të ditëve të fundit në mediat vizive dhe të shkruara, presidenti i FSHFsë konfirmoi bashkëpunimin me qeverinë sa i përket ndërtimit të stadiumit në Elbasan dhe Tiranë. “Procesi për ndërtimin e ‘Qemal Stafa’- s vazhdon brenda të gjitha afateve që kemi thënë edhe më përpara. Qeveria shqiptare e mbështet projektin tonë dhe besoj se në mars do të shpallim edhe kompaninë fituese, e cila do të merret me ndërtimin e stadiumit të ri. Sakaq, do të rikonstruktohet stadiumi i Elbasanit dhe aty më pas do të luhen edhe ndeshjet e Kombëtares për kualifikuese e Europianit të 2016- ës. Ndërsa në një moment të dytë do të ndërhyjmë edhe në stadiumin e Shkodrës”, – konfirmoi kreu i FSHF-së.